Kapja e mediave/ Pas Mira Kazhanit dhe Mero Bazes, radhën e ka Karlo Bolino

Sondazhet në Shqipëri janë të rralla, ndaj kur një i tillë u publikua sot, vëmendja ishte e madhe. Shumë media u morën me sondazhin e PNUD dhe IDM, por një detaj nga ky sondazh duket sikur nuk u bëri shumë ‘përshtypje’. Pikërisht ai që theksonte se mediat kanë fituar një mosbesim të konsiderueshëm te shqiptarët.

Arsyet mund të jenë disa, por në këtë shkretëtirë, ku shumica e mediave i bëjnë fresk qeverisë së Edi Ramës, sigurisht që besueshmëria do ulet ndjeshëm. Zërat e paktë si ai i Syri.net janë shumë të rrallë dhe besueshmëria e tij matet nga numrat e jashtëzakonshëm të audiencës.

Edhe në mesin e atyre që i bëjnë fresk Edi Ramës, disa emra spikasin jo vetëm për zellin, por edhe për shkak të skandaleve që provojnë kapjen e medias nga qeveria. Të gjithë këto skandale kanë dalë në dritë brenda pak ditësh.

Fillimisht, dy javë më parë u raportua se gazetarja Mira Kazhani merrte një rrogë të majme nga Ujësjellësi i Tiranës. Mbështetja e hapur e saj për Edi Ramën dhe Erion Veliajn duket se prej kohësh i ka dhënë frytet. Në rrjetet sociale qarkulloi me shpejtësi një dokument që tregonte se gazetarja Mira Kazhani paguhet me taksat e qytetarëve të Tiranës.

830 mijë lekë të vjetra merrte çdo muaj Mira Kazhani nga Ujësjellës- Kanalizimet e Tiranës, një ndërmarrje që mbahet me taksat e qytetarëve të kryeqytetit. Sipas dokumentit, Ermira Kazhani është këshilltare ekonomike e drejtorit të UKT-së Tiranë. Pavarësisht se kryebashkiaku Erion Veliaj u përpoq që ta mbronte duke thënë se UKT-së i duhen këshilltarë për mediat, por e vërteta është se Kazhani paguhej si eksperte ekonomie, një punë nga e cila nuk ka provuar se merr erë. Pas stuhisë së jashtëzakonshme në median sociale, ajo dha dorëheqjen nga puna.

Më vonë, Syri.net publikoi një tjetër dokument tronditës për një tjetër altoparlant të Edi Ramës, gazetarin Mero Baze. Qeveria e Ramës ka dhënë plot 50 mijë euro për djalin e një gazetari (nëse mund të quhet i tillë) që i shërben me zell të madh Edi Ramës, ndonëse ky i fundit nuk ka denjuar akoma t’i shkelë në studion e TV të tij, të ndërtuar me pastrim parash dhe gjoba ndaj bizneseve. Baze i vogël është diplomuar për drejtësi në vitin 2015, dhe menjëherë pas kthimit të tij në Tiranë, ai filloi punën si jurist pranë Bashkisë së Tiranës, pasi në krye të saj u zgjodh Erion Veliaj. Por, pas 2 viteve punë në Bashkinë e Tiranës, Aldion Baze ka menduar që të bëjë edhe një master post-universitar dhe në këtë pikë sërish frerët i ka marrë në dorë babai i tij, botuesi i Gazetës Tema, Mero Baze. Dokumentet zyrtare tregojnë se gjatë kohës kur Lindita Nikolla ishte Ministre e Arsimit, ka firmosur pa iu dridhur dora gati 50 mijë euro bursë vjetore për Aldion Mero Bazen, në mënyrë që ai të tentojë të pajiset edhe me një master, me çdo kusht e me çdo me çdo çmim të paguar me paratë e taksapaguesve shqiptarë, në “University College of London”.

Së fundmi është publikuar skandali i botuesit Karlo Bolino. Falë një VKM-je qeveritare, me numër 368 dhe datë 6.5.2020, ai ka marrë nga Edi Rama një truall privat të parashikuar për gjimnaz. Objekteve të ndërtuara mbi të, qeveria u ka prishur kontratën. Në këtë mënyrë, italiani Bolino u merr pronarëve autoktonas në Tiranë pronën si të ishte e vetja. Kurse njësia bashkiake 7 nuk do ketë një gjimnaz për mbi 50 mijë banorë, sepse pronën e ka marrë Bolino. Skandali është edhe më i thellë se përveç tokës që ka qenë private, vidhen edhe objektet. Për më tepër, vendimi shkel ligji e pronave që detyron shtetin të mos japë toka te të tretët deri në përfundim të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave.

Sondazhi i sotëm ndoshta nuk do komentohet për një kohë, por fakt është se të tre personazhet e mësipërm, përveç skandaleve, drejtojnë media me nivele të ulëta besueshmërie dhe audience. Si për të provuar se shqiptarët e dinë edhe ku të vendosin besimin në këto ditë të vështira.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme