Në mbarë Europën po ndizen protestat.
Nga Spanja e deri në Angli, njerëzit po dalin në rrugë kundër masave të izolimit nga pandemia, që po shkaktojnë dëme të pallogaritshme ekonomike.
Më të fuqishme janë protestat në Gjermani. Mijëra qytetarë dolën në qendrat e disa prej qyteteve më të mëdha në vend.
Në qendër të protestave është zemërimi për masat e bllokimit, por edhe një plan i supozuar për një vaksinë nga Bill Gates.
Sipas Daily Mail, protestat kanë alarmuar edhe kancelaren gjermane, Angela Merkel. Popullariteti i saj është në rënie.
Fillimisht u duk se protestat nuk do ishin kaq të mëdha, por këtë fundjavë ato janë bërë agresive.
Ndërkohë ka nisur edhe një hetim pasi një gur varri u vendos përpara zyrave elektorale të kancelares Merkel.
Rreth gurit ishin vendosur trëndafila dhe qirinj. Aty shkruhej: “Liria e shtypit, liria e mendimit, lëvizjes dhe tubimit- demokracia 1990-2020”.
Në disa raste, sidomos në Berlin, policia përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve.
Gjermania e ka menaxhuar mirë situatën e koronavirusit, por ajo ka lënë pasoja te ekonomia dhe demokracia e vendit. Analistët druhen se kjo situatë do të nxisë lëvizjet ekstremiste.
© SYRI.net