Sipas shkrimtarit tonë të njohur Kim Mehmeti, me protestat e sotme në Tiranë, ka filluar lufta mes qytetarisë, së prirë nga artistët shqiptarë dhe barbarisë, të kryesuar nga Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Kim Mehmeti thotë se ndërtimi i godinës së re të teatrit, do jetë përmendore e fitores së barbarisë mbi qytetarinë, dhe e kundërta – godina e rindërtuar e Teatrit Kombëtarë ashtu siç ishte, do ishte lapidar i fitores së qytetarisë mbi barbarinë.
Më poshtë ua sjellim komentin e plotë të Kim Mehmetit të publikuar në faqen e tij të FB:
“Në Shqipëri që nga sot edhe zyrtarisht ka filluar lufta e pa kompromis mes qytetarisë së prirë nga artistët shqiptarë dhe barbarisë, të kryesuar nga Piktori dhe ‘Rilindësit’ e tij.
Dhe asnjëra palë nuk do mund ta fshehë dështimin e vet. Nëse mbi rrënojat e Teatrit Kombëtarë do ndërtohet godina e re e Teatrit Antikombëtarë, ajo ngrehinë do jetë përmendore e fitores së barbarisë!
E nëse mbi gërmadhat e Teatrit të deridjeshëm Kombëtarë do rindërtohet godina e deridjeshme e tij ashtu siç ishte, kjo do jetë përmendore e fitores së qytetarisë shqiptare.
Pra Tirana e sotme ka dy zgjidhje: o do e rikthejë fytyrën e bukur të saj dhe kujtesën për të shkuarën e lavdishme teatrore, o do bëhet me dy piramidat të tragjedisë dhe turpit të vet – atë të Enverit dhe këtë të renë të Piktorit!”, shkruan Kim Mehmeti.