Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, kryeministri Edi Rama dhe Policia e Shtetit u përballën me kritika të shumta gjatë ditëve të fundit, për shkak se refuzojnë të pranojnë apo kritikojnë dhunën e ndodhur të dielën gjatë shembjes së Teatrit Kombëtar. Disa mendojnë se policët individualisht mbajnë përgjegjësi morale dhe penale për veprimet që ata i konsiderojnë të paligjshme, ndësa të tjerë dyshojnë se dhuna policore mund të ketë qenë e paramenduar dhe e përdorur si strategji për të diskurajuar popullsinë të bashkohet me protestën.
Sokol Bregu, një gazetar kronike që zakonisht nuk bën komente, e quajti dhunën të pakuptimtë.
“Teatri është një gjë, një luftë mes dy principesh, dhuna jote nuk është. Dhuna jote është e pashpjegueshme,” shkroi Bregu, duke argumentuar se dhunën e së dielës nuk e ka rastisur më parë në 24 vjet eksperiencë si gazetar.
Sjellja e policisë është vënë gjithashtu në pikëpyetje për shkak se një pjesë e forcave të dislokuara në protestë kishin numrat e identifikimit të hequra nga uniformat dhe fytyrat e mbuluara me maska.
Një zëdhënës i policisë nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN se pse policia kishte hequr numrat e identifikimit por episodi krijoi hapësirë për spekulime, se ky veprim mund të jetë kryer për të penguar një hetim të mundshëm mbi dhunën.
© SYRI.net