Artistët avancojnë kërkesat: Do kërkojmë rrëzimin e Edi Ramës

Më shumë se mbledhja e firmave për një peticion, i cili kërkon ndërtimin e teatrit sipas modelit origjinal, atje ku ka qenë, takimet e artistëve në rrethe kanë të bëjnë me thirrjen në një protestë të madhe që do të zhvillohet në Tiranë. Kërkesa e tyre tashmë nuk do jetë vetëm Teatri, por edhe rrëzimi i Edi Ramës që ata e shohin si fajtorin kryesor për ngjarjen e 17 majit. Flasin për MAPO aktori Edmond Budina dhe aktivisti Ergys Mërtiri

Takimet që ka ndërmarrë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në qytetet e Shqipërisë në qendër të saj kanë më shumë thirrjen e njerëzve në një protestë që do organizohet së shpejti, ku kërkesave do u shtohet dhe rrëzimi i qeverisë së Edi Ramës.

 

Ditën e djeshme kjo aleancë ishte në qytetin e Burrelit, sot do jetë në qytetin e Lezhës, dhe më pas do të vijojë dhe në jug ku qyteti i parë që do të organizojë tubimin e saj do të jetë Korça. Burime pranë saj saktësojnë se po vijon puna dhe paralelisht në Tiranë për mbledhjen e firmave, dhe thirrjen e njerëzve në protestë, e cila do të finalizohet me një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që nis në vendin ku ka qenë Teatri Kombëtar dhe do të vazhdojë përpara Kryeministrisë.

Deri më tani, nga ana e aleancës për peticionin, janë mbledhur më shumë se pesë mijë firma në tre qytete, nga dhjetë mijë që synojnë të mbledhin në të gjithë Shqipërinë, por vetë Rama ka thënë se nuk do njohë asnjë peticion të aktorëve dhe aktivistëve që mbrojtën teatrin.
Aktivistët

Aktori Edmond Budina, një ndër krerët e kësaj aleance tha për gazetën MAPO, se tashmë qëllimi kryesor është rrëzimi i qeverisë Edi Ramës, dhe bashkë me të dhe i Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut. Duke folur për turin e zhvilluar në rrethe të ndryshme të vendit Budina nuk thotë një datë të saktë për organizimin e protestës, por qëllimi është që të mblidhen sa më shumë njerëz.

Ne sot (dje) ishim në Burrel, dje ishim në Kukës dhe nesër do jemi në Lezhë. Fundi i kësaj jave dhe fillimi i javës do na gjejë jug të vendit, ku me shumë mundësi do e fillojmë me Korçën. Qëllimi i takimeve ka qenë thirrja e njerëzve në protestën që do të zhvillohet në Tiranë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit, atje ku ka qenë Teatri dhe para Kryeministrisë. Unë s’di të them tani një datë të saktë se natyrisht kjo kërkon burime dhe organizim, por ne po bëjmë të pamundurën”, -thotë Budina.

Sipas tij, tashmë nuk është më qëllim në vetvete vetëm ngritja e teatrit, aty ku ka qenë dhe ashtu siç ka qenë, por do kërkohet dhe rrëzimi i Edi Ramës, si fajtori kryesor për shembjen e Teatrit.

Tashmë, qëllimi nuk është vetëm çështja e teatrit, por edhe rrëzimi i Edi Ramës nga pushteti, që është fajtori kryesor për shembjen e Teatrit. I Edi Ramës dhe i Erion Veliajt, pasi këta janë autorët e shembjes së teatrit. Ata e shembën dhe ata duhet të ikin”, thotë Budina.

I të njëjtit mendim është dhe aktivisti tjetër i AMT Ergys Mërtiri, i cili shprehet se protesta që në fillim duhet të kishte pikërisht këtë motiv, largimin e Edi Ramës.

Unë kam qenë përherë i mendimit se protesta jonë dhe që para shembjes së teatrit duhet të kishte si objektiv largimin e Edi Ramës, tashmë është bërë domosdoshmëri. Në rast se kryeministër nuk do ishte ky që është, atëherë dhe godina e teatrit do ishte aty. Mendoj se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, duhet të jetë dhe zëri i qytetarëve, i të gjithë atyre që kanë pakënaqësinë e tyre ndaj kësaj qeverie për një mijë e një arsye, i të gjithë atyre që duan largimin e tij dhe Erion Veliajt”, thotë Mërtiri.

Ironia e Ramës
Vetë kryeministri Rama, nuk lë rast pa ironizuar artistët dhe aktivistët që po mbledhin firmat për peticionin i cili në thelb kërkon që teatri të ngrihet ashtu siç ishte në vendin ku u shemb i vjetri. Me gjithë faktet e dala së fundmi, Rama vazhdon t’i mëshojë idesë se ajo godinë është ngritur për të zbavitur ushtarët italianë dhe s’ka asnjë vlerë historike.

Po mirë si t’ia bëj unë këtyre artistëve të tjerë që thonë ne duam projektin e ri dhe duam një Teatër të Ri, si t’ia bëjmë? Pastaj çfarë do të thotë të ndërtohet siç ka qenë një vepër e ndërtuar nga ushtria italiane për të argëtuar ushtarët italianë”, u shpreh Rama.

Në lidhje me peticionin ai iu kujtoi artistëve dhe opozitës reformën zgjedhore, dhe zgjedhjet të cilat do duhet të mbahen pas më shumë se një viti.

10 mijë, 20 mijë… 200 mijë artistë mund të gjenden për të firmosur, dhe nëse çështja qenka kaq artistike dhe shekspiriane, opozita të vijë të bëjë reformën zgjedhore, të përcaktojmë rregullat e lojës kur të shkojmë në zgjedhje, bijtë dhe bijat e Shekspirit e sjellin opozitën në qeveri dhe ajo me alternativën e rindërtimit të teatrit siç ishte, kështu zgjidhen gjërat në demokraci, nuk bëhen me buzëkuqe apo zëvendësime të roleve,” – theksoi Rama.

Reagimet
Për shembjen e teatrit kombëtar, pati reagime të shumta nga komuniteti ndërkombëtar. Komisioni Evropian, organizma të ndryshëm por edhe eurodeputetët e quajtën të nxituar shembjen e tij. Madje ndonjë prej tyre shkoi deri aty sa vuri në dyshim dhe hapjen e negociatave me Shqipërinë pas këtij akti.

Një pasqyrim të gjerë gjeti shembja e teatrit dhe në mediat më të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat e pasqyruan shembjen e tij si një iniciativë personale të Edi Ramës, me prapavijë korruptive.

Te sjellja e qeverisë apo Bashkisë së Tiranës vihet re një lloj kompleksi sa herë flitet për këtë çështje e cila duket se ka ulur ndjeshëm kuotat elektorale në publik.

Nga të dyja institucionet qeveri-bashki, po investohet fort, që vëmendja të shmanget diku tjetër siç është fjala vjen reforma zgjedhore, një çështje e cila së bashku me reformën në drejtësi i dha një lloj frymëmarrjeje qeverisë, e cila u gjend përballë një lumi zemërate dhe kritikash për ngjarjen e mëngjesit të 17 majit.

58

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme