Ambasadorët e pesë vendeve më të zhvilluara, të njohur edhe si vendet e QUINT-it, në hapjen e “Javës së Antikorrupsionit në Kosovë”, u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës, në veçanti atyre të sistemit të drejtësisë, që të fuqizojnë luftën e tyre kundër korrupsionit. Hapja e kësaj “Jave”, e organizuar nga koalicioni i organizatave joqeveritare në Kosovë, do të shënohet me aktivitete të ndryshme që, sipas organizatorëve, ka për qëllim të dërgohet një mesazh te institucionet e vendit që ta luftojnë korrupsionin, i cili paraqet njërin nga problemet më të mëdha në zhvillimin e Kosovës, shkruan sot, gazeta Zeri.
Në hapje të kësaj fushate ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie, ka deklaruar se është i kënaqur nga organizimi i organizatave joqeveritare në Kosovë, por shtoi se duhet të ngrihet llogaridhënia brenda sistemit gjyqësor, me ç’rast u ka bërë thirrje prokurorëve të jenë më të përgjegjshëm.
“Prezenca e të gjitha organizatave e shteteve të QUINT-it tregon rëndësinë se sa është për ta luftuar korrupsionin. Këtë ‘Javë’ për herë të parë mburrem me mobilizimin e OJQ-ve të cilat e kanë kryer një kohezion kundër korrupsionit. Ne këtu jemi për të ndihmuar si shtete të QUINT-it, por rëndësia për luftimin e korrupsionit mbetet tek qytetarët e Kosovës. Ambasada jonë bashkë me Ministrinë e Drejtësisë dhe gjithë sektorin e sistemit të drejtësisë jemi për të ngritur llogaridhënien brenda sistemit që gjyqtarët dhe prokurorët të jenë më përgjegjës ndaj luftës kundër korrupsionit”, tha ambasadori Delawie.
Ndërkaq ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, në këtë konferencë ka deklaruar se lufta kundër korrupsionit nga institucionet do të shënojë edhe tërheqje të investimeve të huaja në Kosovë.
“Fokusi ynë i Ambasadës është tek tërheqja e investimeve, për këtë arsye lufta kundër korrupsionit është me rëndësi. Mundësitë e krijimit të biznesit për kompanitë private janë shumë të rëndësishme derisa edhe prokurimi publik ofron mundësi që ka keqpërdorime për zyrtarët publikë, pra prokurimi publik konsiderohet si një fushë shumë e ndjeshme ndaj korrupsionit për atë arsye është me rëndësi t’i adresohet si problem derisa edhe keqpërdorimi i fuqisë për t’u korruptuar është parqet një rrezik dhe kjo dëmton drejtpërdrejt shërbimet zyrtare tek qytetarët dhe dëmton paranë publike në përgjithësi”, ka deklaruar ambasadorja gjermane.
Sipas ambasadores Viets, korrupsioni ndikon tek mungesa e ofrimit të shërbimeve gjyqësore tek qytetarët dhe në përgjithësi krijon mungesë të besimit si rezultat dhe mungesë të efikasitetit.
Në anën tjetër, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ka folur për shkallën e lartë të korrupsionit në vendin tonë, duke thënë se korrupsioni është një kancer, i cili po e minon të ardhmen e Kosovës.
“Korrupsioni është një kancer që e minon të ardhmen e Kosovës. Të mos pretendojë askush që në bashkësinë ndërkombëtare është i pranishëm korrupsioni. Prania e ambasadorëve këtu është shenjë e qartë që interesohemi dhe shqetësohet me nivelin e korrupsionit, por duhet më shumë energji dhe guxim prej qytetarëve, shoqërisë civile, medieve të bëhet një ndryshim në shoqëri. Jam i bindur në fuqitë e qytetarëve e cila është treguar në kohë edhe më të vështira që do të arrihet”, ka thënë ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
Ndërsa gjatë fjalimit të saj, ambasadorja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka deklaruar se duhet të ketë transparencë nga ana e institucioneve në mënyrë që të luftohet ky proces.
“Transparenca është proces i rëndësishëm në sistemin e demokracisë. Bashkimi Evropian së bashku me Parlamentin kanë implementuar politika të mira për të luftuar dukurinë e korrupsionit dhe që të vihet në pah transparenca, pasi që transparenca dhe integriteti janë gjërat kryesore të sistemit demokratik në Kosovë. Respektoni votën e qytetarëve dhe atë që ata vendosin”, ka thënë Apostolova.
Kurse ambasadori i Italisë, Piero Cristoforo Sardi, tha se ky korrupsion duhet të luftohet sepse po e dëmton rëndë ekonominë.
Ndërkaq ambasadori i ri i Francës, Didier Chabert, gjatë kësaj konference ka deklaruar se institucionet duhet t’i luftojnë bizneset ilegale.
“Është e rëndësishme që agjenda kosovare të fillojë me këtë që të bëjë ndryshime. Nuk ka kohë për të humbur në luftimin e kësaj dukurie. Duhet të kemi investime, të luftohet ekonomia joformale, të forcohet sektori privat dhe publik në mënyrë që të luftohet ky proces dhe qytetarët e Kosovës të jetojnë më mirë”, tha në fund ambasadori i Francës.
Në të gjitha raportet ndërkombëtare është theksuar shkalla e lartë e korrupsionit dhe e krimit të organizuar. Niveli i lartë i korrupsionit është theksuar edhe në raportet e Progresit të Komisionit Evropian, si dhe në raportet hulumtuese të organizatave ndërkombëtare e vendore. Ndërkaq organizata “Transparency International”, në një raport të saj të fundit për shkallën e korrupsionit në nivel global, e ka radhitur Kosovën në mesin e vendeve më të korruptuara./Zeri/.