Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell ka vendosur që diplomatin e Çekisë, me përvojë nga rajoni i Ballkanit, Tomas Szunyong ta emërojë për Përfaqësues të Posaçëm të BE-së në Kosovë (EUSR) dhe shef të Zyrës së BE-në në Prishtinë.
Ka një kohë prej kur është përfolur në qarqet diplomatike për këtë zgjedhje të Borrellit, ndonëse është pritur që një gjë e tillë të konfirmohet. KOHA mëson nga burimet diplomatike në BE se zgjedhja e tij tashmë është konfirmuar.
Me këtë emërim, me Kosovën në emër të BE-së do të merret tandemi “çeko-sllovak”, Miroslav Lajçak dhe Tomas Szunyong. Dy muaj më parë, Lajçak është emëruar si përfaqësues i posaçëm për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa tash Szunyog do të jetë përfaqësues i posaçëm në Kosovë. Pritet që ata të bashkëpunojnë edhe në zbatimin e mandatit të Lajçakut, i cili do të duhet ta ketë ndihmën e Zyres së BE-së në Prishtinë, në ushtrimin e detyrës së tij në lehtësimin e dialogut.
Ngjashëm sikur Miroslav Lajçak, ambasadori i ardhshëm i BE-së në Kosovë ka përvojë nga rajoni. Ka qenë edhe ambasador i Çekisë në Bosnjë dhe në Slloveni, flet gjuhën boshnjake dhe ngjashëm sikur edhe Lajçak, ka studiuar në Rusi.
Aktualisht, ai është ambasador i Çekisë në Komitetin për Politikë dhe të Sigurisë në BE. Szynyong ka pasur detyra në ministrinë e Jashtme të Çekisë, të lidhura me rajonin. Ka qenë shef i Departamentit për Evropën Juglindore dhe për çështje të politikave të sigurisë.
Ka mbaruar studimet në Institutin Shtetëror për Marrëdhënje Ndërkombëtare në Moskë. Në biografinë e tij shkruan se shërbimit diplomatik të Çekisë i është bashkuar në vitin 1992. Flet gjuhën angleze, ruse, frënge, sllovene dhe boshnjake.
Republika Çeke, për dallim nga Sllovakia, e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Por pasi dy presidentë të Republikës Çeke radhazi nuk janë pajtuar me këtë vendim të qeverisë, nuk e kanë nënshkruar vendimin formal për njohje.