Në Muzen Historik Kombëtar, kanë filluar homazhet në nder të Moikom Zeqos këtë fundjavë. Ceremonia ka nisur sot në orën 10:00, për të vijuar deri në orën 14:00 dhe homazhet po mbahen në ambientet e jashtme të Muzeut, për shkak edhe të situatës me COVId-19.
Gazetarja e “Shekulli”-t Lorena Resulaj raporton se homazhet janë mbajtur këtë të shtunë për arsye se është pritur të vinte nga Amerika djali i tij, Epidami i cili gjatë fjalimit për të atin nuk ka mundur dot të mbajë lotët dhe emocionet kur ka folur për babain e tij. Jo vetëm bashkëshortja Lida, dy vajzat dhe djali, por edhe miqtë e tij të shumtë nuk kanë munguar në homazhe. Gazetarja raporton se trupi i tij nuk ishte i pranishëm për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID dhe masat e marra dhe ndërkohë në ceremoni kanë marrë pjesë politikanë të njohur si Arta Dade, Gramoz Ruci dhe pritet të vijë edhe Presidenti Ilir Meta.
“Babai im dëshironte një Shqipëri më të mirë, e cila ndoshta nuk do të vijë kurrë. Jam i lumtur që babai im është një figurë që bashkon, edhe pse kjo e sotmja është një ditë zie për familjen tonë. Amanaeti i tij ishte ajo për një Shqipëri më të mirë edhe kulturalisht.
Unë njihja një Moikom që ju nuk e njihnit dot, ju njihnit një Moikom tjetër, unë njihja një Moikom si babai im, të gjitha dëshirat e tij, librat do të botohen. Do të krijohet fondacioni Moikom Zeqo, që trashëgimia e tij të njihet dhe të ndihmojë të rinjtë”, u shpreh Epidam Zeqo.
Familjarë, të afërm, politikanë dhe personazhe të njohura publike, me maska dhe duke respektuar dhe protokollin për shkak të COVID-19, kanë kujtuar sot kontributin e çmuar të Zeqos, ndërsa kanë lënë si kujtim të fundit në një libër, ngushëllimet dhe përjetimet e tyre. Zeqo u shua 5 ditë më parë pas një lufte të gjatë me një sëmundje të rëndë, ndërsa sot do të përcillet në banesën e fundit. Nga miqtë edhe kolegët Moikom Zeqo cilësohet, si një ndër intelektualët e paktë, që ia kushtoi jetën krijimtarisë, familjes, por mbi të gjitha emancipimit të politikës edhe shoqërisë shqiptare.
Moikom Zeqo
Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Familja e tij është me origjinë nga Libohova, aty ku ai kreu edhe arsimin fillor.
Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori Filologji, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi.
Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Më 1974-76 punoi si mësues në Rrogozhinë.
Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë.
Në qershor të 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës.
Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.
Është Doktor i Shkencave dhe mbante Urdhrin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.
Zeqo është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të një numri skenarësh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij.
Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbo-kroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.
Është autor i tre ekspozitave vetjake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i post modernizmit në letrat shqipe.