Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e veprimeve antikushtetuese të Presidentit në rastin e nxitjes, bindjes dhe detyrimit të deputetit Haxhi Shala për të ndryshuar qëndrimin për votën ndaj Qeverisë edhe ashtu jo legjitime.
Si një Qeveri pa legjitimitet dhe e paligjshme, të vetmen mbështetje e kishte tek aranzhimet jo kushtetuese në të gjitha fazat e saj. Tablonë e plotë të veprimeve antikushtetues të kësaj skeme e përmbushi rasti i ndërhyrjes dhe ndikimit mbi deputetin Haxhi Shala, duke i shkuar në shtëpi pasmesnatës. Këtë fakt, e shpalosi edhe publikisht deputeti i shënjestruar, por u konfirmua edhe nga vetë Thaçi e Haradinaj.
Është e tepërt të thuhet më, se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk i lejon Presidentit rol aktiv në skenën politike, sepse kjo çfarë ka bërë Thaçi nuk është vetëm angazhim aktiv politik, por edhe ndërhyrje e rëndë në rendin tonë kushtetues, por as si e tillë nuk është e para.