‘Me Abdullain kam qenë e lidhur’/ Rrëfimi i nënës së djemve vrasës

Ata nuk e duruan më dot tradhtinë e nënës ndaj të atit dhe për këtë vranë personin me të cilin ajo kishte pasur një histori jashtëmartesore. Madje njëri prej tyre kur e kishte marrë vesh në fshat, ishte larguar nga banesa për dy vite duke jetuar jashtë vendit. Por çështja që i ka vënë kapak, ka qenë një telefonatë me familjarin tjetër që jeton në Angli dhe që ju kishte thënë: “Dulla ka tentuar të ngacmojë edhe motrën”.

Kaq ka mjaftuar që më i rrituri prej tyre, të nxjerrë armën e fshehur, ta fusë në thes dhe të urdhërojë më të voglin për të dalë nga shtëpia. Dy të rinjtë Saimir Shera i moshës 32 vjeç dhe i vëllai i tij më i vogël Arsil Shera 20 vjeç do të dalin para gjykatës për akuzën e vrasjes me paramendim të Abdulla Budllës. Ata përdorën një makinë me qira pranë Departamentit të Hetimit të Krimeve, mjet të cilin e morën në datën 3 gusht duke ia marrë shtetasit Gersian Çela.

Të njëjtat burime shtojnë se mjeti me ngjyrë gri shfaqet në kamerat e sigurisë dhe nga puna hetimore e agjentëve, u zbuluan edhe targat duke shkuar më pas në agjencinë që jep makina me qira. Kur agjentët i pyetën administratorët e subjektit Rent A car Greisi ata pranuan menjëherë se kujt ia kishin dhënë me qira mjetin duke treguar identitetin e dy vëllezërve.

Pa fjalë i ka lënë agjentët e policisë më pas rrëfimi i M. Sherës, që është nënë e nëntë fëmijëve mes tyre edhe e dy vëllezërve. Gruaja ka pranuar tradhtinë me taksistin e vrarë Abdulla Budlla i moshës 71 vjeç. Gruaja ka dalë në pension si nënë me shumë fëmijë dhe mësohet se ajo i kishte çuar madje mesazh viktimës pasi fillimisht kishte mësuar që viktima kishte pësuar aksident.

“E mora vesh për aksidentin, inshallah ke shpëtuar mirë”, deklaron t’i ketë shkruar e moshuara, pa e ditur se ndërkohë ai ishte vrarë nga dy djemtë e saj. Gruaja shton se më pas i kishte qenë në varrim viktimës dhe se gjatë ceremonisë vriste mendjen se kush mund ta kishte bërë krimin.

Nëna e dy djemve të arrestuar se kishte pasur një lidhje intime gjashtë vite më parë me viktimën dhe se këtë histori e dinte vetëm njëri nga të afërmit e viktimës. “Lidhjen me Dullën e justifikonim si lidhje miqësore  dhe shpeshherë e merrja si taksist për të mos rënë në sy, – shton më tej e moshuara, ndërsa tregon se shpesh pinë edhe kafe me viktimën ‘si moshë e thyer që ishim’.

Gruaja tregon sipas burimeve se vajzat i kishin tërhequr vëmendjen por ajo u kishte thënë se “është njeri i mirë nuk i ka bërë keq njeriu”. Gruaja tregon se pas apelit të vajzave, i kishte kërkuar viktimës që të takoheshin sa më larg në lagje dhe se prej një viti apo një viti e gjysmë ajo ishte distancuar disi.

Një ditë para ngjarjes rezulton se gruaja i kishte shkruar se duhet ta çonte në tregun e Laprakës dhe se Abdullai i kishte shkruar “nuk vij dot se kam vajzën e tezes që po merret me letrat e tokës”. Gjatë asaj dite gruaja ka vazhduar planin duke shkëmbyer mesazhe dhe rreth mbasdites mesazhi i fundit që Dulla i kishte nisur ishte “këtu jena na”.

Nëna e dy djemve kujton se teksa po punonte në bahçe kishte dëgjuar krisma. “Disa nga fëmijët ishin në shtëpi, Arsili djali i vogël ishte në punë në Rinas, fillimisht mora vesh që Dulla kishte bërë aksident, më vonë provova t’i bie, por e kishte telefonin fikur”, rrëfen nëna e dy djemve në polici. Kur është mësuar se 71-vjeçari ishte qëlluar me armë, e moshuara tregon se i kishte pyetur djemtë e saj nëse e kishin vrarë ata, por djemtë i janë përgjigjur “nuk kemi lidhje me këtë punë”.

“Bashkëshorti përpara se të lidhesha me Abdullain më dhunonte dhe konsumonte alkool, i kam thënë për hir të fëmijëve do rri me ty në këtë shtëpi, por nuk kam më punë me ty”, shton për babain e fëmijëve e moshuara.

Djali: U largova nga Shqipëria prej fjalëve, ai ngacmoi dhe motrën. Ishte e padurueshme

Saimiri i tregon policisë se fshati ku ai jeton me familjen, por edhe fshatrat përreth zienin prej kohësh nga fjalët për lidhjen me të ëmën dhe Abdullain. Ai tregon se i moshuari kishte përfituar nga miqësia dhe hapja e dyerve në shtëpinë e tyre. Ai shërbente si taksist në shtëpinë tonë, pasi kemi një motër sëmurë. Kur ma thanë në fshat u trondita, e pyeta nënën por ajo heshti.

Kalova në depresion dhe dy vjet ika në Greqi, nuk mundesha dhe kalova ne stres dhe me probleme mendore nga kjo histori. Në shtëpi kisha të fshehur një automatik që prej vitit 1997, pasi jemi në hasmëri me një fis tjetër. I riu tregon se ditën e ngjarjes kishte folur më të vëllain në Angli që i kishte treguar se veç nënës i moshuari kishte tentuar të ngacmonte edhe motrën.

“Motra kishte qarë në telefon, e tronditur kishte folur me motrën tjetër që jeton në Itali, motra ia kishte thënë vëllait në Angli. Sapo e mora vesh u nisa për të folur me motrën. Rrugës m’u errën sytë. I thashë vëllait të vogël Arsilit jepi makinës. Tek kryqëzimi kam parë Abdullain, i thashë ndale makinën. Mora armën që e kisha futur në një thes dhe e qëllova. I thashë vëllait ec në drejtim të Fushë Krujës, ai filloi të dridhej dhe mu lut obobo ç’na bëre hajde të dorëzohemi në polici”.

I riu tregon se nuk kishte pranuar, por kishte vazhduar udhëtimin, kishte pirë kafe për t’u qetësuar, pasi edhe vetë dridhej dhe nuk qëndronte dot në këmbë dhe më pas, sapo kishte parë një kamion skrapi e kishte flakur armën aty./Gazeta Si/

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme