Ushtria Çlirimitare “Hashim Thaçi”

1. Kqyrni mirë mos i ka thirrë ‘kush’ n’darkë xhandarët serbë. Nëse jo n’darkë garant kanë shku me lu’ kockë ‘në zonën neutrale’ në Karaçevë, se loja gjithmonë i ka bashku edhe ‘armiqtë’ më të përbetuar.

E hiqu ti Kastratit që mundohet me ‘dhezë luftë’, kur bëhet fjalë për lojë;

– hiqu Ganimetes (në veçanti) që dje u idhnu (por tek sot e ka shpreh idhnimin) me ambasadorin amerikan, gjerman, zvicran, dhe nga hidhërimi i saj ka mbetur i paprekur deri më tani veç ambasadori francez;

– sidomos hiqu PDK-së patetike, që u idhnu edhe me KFOR-in pse nuk po e mbron Kosovën prej dy xhandarëve serbë, por po e mbron prej krejt Ushtrisë serbe.

2. PDK u idhnu shkaku i UÇK-së, pse bota perendimore dhe demorkatike nuk po i lejon ‘këta’ që me Ligj ‘me privatizu UÇK-në’ dhe emrat e Hashimit, Ramushit e ktyne m’u mbrojt me Ligj, mos me guxu kush m’i përmend.

Lezet i madh. Mos me guxu kush me ta përmend emrin!

Për Ty me ba veç ‘Mashallah’!

3. Këta nuk e dinë se bota demokratike ka lejuar dhe lejon libra, filma, këngë, poezi e romane kundër Krishtit, të birit të Zotit, për të cilin besojnë se u flijua për mëkatet e njerëzimit, e po ta mbrojnë këta me Ligj Hashimin prej dëshmitarëve.

Edhe Zhan D’ark ishte ‘shtrigë’ dhe pastaj u bë ‘shenjtore’, që me armë në dorë ka luftuar (në emër të Zotit) për çlirimin e Francës, por askush nuk na ndal neve të çuditemi:

– qysh edhe Zhan D’ark, me duar të përgjakura, shenjtore, edhe Nëna Terezë shenjtore, që s’e ka shkel buburrecin.

Shenjëtorët nuk ‘vrasin’, as me fjalë!

4. Në vend se dëshmitarët m’i mbrojtë Ligji, tash u dashka që Ligji m’i mbrojtë Hashim Thaçin prej dëshmitarëve.

E pse nuk po e ndalni me Ligj një serb që po e bën një film kundër UÇK-së! Por po kërkoni Ligj për nevoja personale!

Hajt, qe, shqiptarit ia ndalon diqysh mos me ta përmend emrin, po a i ndalon të huajt! Qysh i ndalon historianët e huaj të shkruajnë të vërtetën sipas tyre!

5. Kur Kosova do të shpallte 60 mijë veteranë shenjtorë, në mesin e tyre Jakupin që midis sulmeve të NATO-s e shpalli mobilizimin e shqiptarëve duarthatë…,a është normale Jakupi m’u mbrojtë me Ligj, në vend se me dhënë pērgjegjësi ‘pse i shpalli të armatosur shqiptarët e paarmatosur’.

6. Edhe pas 21 vjetëve e shfrytëzojnë UÇK-në për të kërcënuar. UÇK nuk është e ‘juaja’.

E keni ‘përvetësuar’, e keni vjedhur, ia keni vjedh paret UÇK-së, vetë ia keni zbuluar marrëzitë e krimet njëri-tjetrit, në emër të saj jeni bë milionerë, e asnjë therrë në këmbë kurrë nuk ju ka hy.

Cila është beteja juaj?

Ku keni qenë ju gjatë luftës kur nga policia dhe ushtria serbe janë dëbuar 1 milionë shqiptarë?

Pse Hashim Thaçi nuk e ulë kryt që s’ka arrit me ndal dëbimin e 1 milionë shqiptarëve por plus lyp shpërblim dhe mbrojtje nga shteti ‘që nuk e pengoi dëbimin e 1 milionë shqiptarëve’.

S’ke mujt me ndal!

Dihet. Pa ndihmën e NATO-s.

Prandaj, nuk je i ‘madh’ sa për të të mbrojtur Ligji, por je ushtar modest (dhe i varur nga NATO), prandaj sillu si i tillë.

(Ligji nuk e mbron Skënderbeun nga ai djali që u pëshurr mbi bustin e tij, por e mbron historia emrin e tij, e mbron e vërteta).

7. Gabimet, lëshimet, veteranët e rremë, tregtia me librezat e ushtrisë, ato komunikatat e famshme dhe ‘listat’ janë tuajat, kurse UÇK është e ‘jona’, e atyre që nuk marrin pagë veterani rrejshëm,

UÇK ishte ideja e lirisë, e çlirimit.

8. Ju i dorëzuat armët dhe uniformat pa ju thënë dy herë,

Ju nuk e përmendët UÇK-në në Kushtetutë,

Ju keni pare për salltanet, por nuk keni pare me mbrojtë trashëgiminë e Jasharve, shtëpitë tuaja i keni bë pallate, shtëpitë e Jasharve i lëni të rrënohen me prapavijë dhe qëllime të errëta, që të zhduken gjurmët e krimeve serbe.

Tjetër shpjegim s’ka, qysh shteti ka pare me vjedh, e s’ka pare me shpëtu historinë.

Ju ‘doni’ ta shpëtoni me Ligj historinë, por në terren, i zhdukni gjurmët e krimeve serbe, ashtu siç i zhdukët ‘gjurmët e krimeve’ në dhomën e dëshmive e askush nuk dha përgjegjësi.

Se sot me dasht shteti, kullat e Jasharve ‘shpëtojnë’ për një javë.

Pra, UÇK-në e gjeni ndër varre, ose duke luftuar për bukë goje.

E Ju?

Zoti e ditt kush jeni Ju!

9. A po ke qejf edhe me UNESKO me të mbrojt!

A po do që askush mos me guxu me ta përmend emrin, mo Zot me guxu me ja ngjit kafshës së vet emrin ‘tënd’, se kështu e ka të rregulluar me ligj, Franca.

Askush në Francë nuk guxon me ja ngjit derrit të vet emrin Napoleon.

Ama shteti s’shkon nëpër katunde me këqyr kush qysh e thirr derrin e vet.

Se për shembull Danimarka ka dyfish derra më shumë se njerëz, dhe nuk ka kapacitete njerëzore m’u merr me emra të derrave.

10. Modeli amerikan ka ligje të forta për ushtri.

Prandaj, ambasasori amerikan gjithmonë çuditet ‘i pari’.

Në ligjin e ushtrisë, është gjest kriminal për shembull që ushtari i martuar me shku me gra tjera, s’bën se e përjashtojnë nga ushtria.

Amerikanët në ushtri e ndalojnë ‘dashninë e tepërt’ dhe e quajnë ‘tradhti bashkëshortore’ (e dënueshme për ushtarët deri në 1 vjt burg),
kurse disa ‘komandantë’ tonë menjëherë pas lufte u bën edhe ‘sheika’ ia nisën poligamisë, edhe sot jetojnë me nga dy (dhe kur e deklarojnë pasurinë, i deklarojnë nga dy gra), edhe pse ligji e ndalon.

11. PDK-ja ia ka marrë inat edhe Avdullahut (e ka pa që nuk është i kollajshëm dhe i përdorshëm qysh kanë kujtu).

Avdullahu karakterizohet nga një qetësi shumë e mirëseardhur dhe befasuese.

Këta njerëzit si Avdullahu, qetësia i bën ‘përnime’, veç kur i sheh që rriten në heshtje.

12. Nuk e kuptoj pse Albulena nuk u shku deri tash në Karaçevë me inspektu vendin dhe m’i fotografu gjurmët e çizmes serbe.

Se nëse xhandarët kanë ikur, tepsia ka kanë mbetur.

Ishalla more Zot xhandarët serbë i kanë humb bile paret n’kazinot e shqiptarëve e janë kthy’ dibiduz në Serbinë armike.

13. Ju po pranoni me bisedu me Serbinë për statusin e Kosovës, për ndarjen e Kosovës, e s’po tuteni, kurse për dy ushtarë (që me dijen e KFOR-it) kanë hy e kanë dalë nga Karaçeva po tuteni.

Xhandarët pak frymëzohen edhe nga Presidenti i Kosovës.

Presidenti ka thënë se disa ‘pjesë’ të Kosovës janë ‘dhurata e Rankoviqit për shqiptarët’.

Historia tregon se Rankoviqi ka vra dhe ka dëbuar shqiptarët, kurse historiani Hashim Thaçi krimet dhe gjakun deri në gu, i sheh si dhuratë, të Rankoviqit.

Pak Gjyqi i Hagës. Se Gjyqi i Hagës nuk i gjykon të sëmurit mendor dhe tradhtarët!

P.S. Neve na duhen Ligje që e rregullojnë jetën tonë të përditshme, si për shembull:

– Lejohet me ligj m’i qit teshat n’tel;

– Ndalohet me Ligj me mashtru femrën, me premtime të rrejshme për martesë;

– Nëse jeton në mërgim, apo nuk ndodhesh fizikisht në Kosovë, lejohet me çu dikë që në emër tanin m’u martu;

– Ndalohet me pshty n’rrugë dhe m’i pre thonjtë n’ballkon;

– Nuk ndalohet me Ligj që me syrin e lirë ms kqyr prej dritares në drejtim të reve’

– e ligje të ngjajshme të nevojshme për lehtësimin e jetës tonë.

E jo me Ligj me shpall Hashim Thaçin ‘Shenjtor’ kur dyshohet se është ‘Djall’.

Ëndrro.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme