Përgjegjës për humbjen e jetëve për qëllime politike. Njerëz që e kanë shndërruar Prishtinën në një klub banditësh ku sulmojnë policinë. Kanë ndihmuar Kosovën në dështimin për t’u anëtarësuar në UNESCO. Po pengojnë liberalizimin e vizave. Këto janë disa prej akuzave që LDK ka drejtuar ndaj Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut, Nënkryetarit të Prishtinës.
Për këtë të fundit kanë thënë se po gjen kohë të merret me politika nacionale e s’po bën asgjë për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Prishtinës.
Ja reagimin i plote i LDK-së:
“Nënkryetari histerik i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, paska gjetur kohë që të merret me qeverisjen qendrore dhe demarkacionin.
Njeriu që organizonte turmat për të hedhur molotovë mbi policët dhe stacionin policorë në Prishtinë, tani, në vend që të merret me ujërat e zeza në lagjen Kalabria, të mbyll gropat nëpër rrugët anekënd Prishtinës, të kujdeset për pastrimin e mbeturinave nëpër qytet, të vejë rregull në trafikun urban, e të bëjë ndonjë punë të hairit, i lejon vetes që të merret me politika nacionale.
Sejdiu dhe shefi i tij, të cilët janë përgjegjës edhe për humbje të jetëve të njerëzve në Prishtinë për shkak të papërgjegjësisë dhe mosreagimit me motive politike, do të mbahen mend për shndërrimin e Komunës në klub banditësh që synojnë djegien e policëve e qytetarëve, objekteve private e publike dhe shtëpitë private e makinat familjare. Me veprimet e tyre kriminale ata i pamundësuan Kosovës anëtarësimin e UNESCO ndërsa tani i kanë venë vetes qëllim që të pamundësojnë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK-së. /Lajmi.net