Javën e ardhshme do të diskutohet për hapjen eventuale të kufijve të Maqedonisë së Veriut me shtetet e rajonit pa kushte.
Vendet e Ballkanit Perëndimorë si dhe Greqia e Bullgaria do të rilidhen sërish “online” për t’u koordinuar për lëvizjen e qytetarëve, por edhe për situatën me pandeminë.
Zëvendësministri i Shëndetësisë Armend Arsllani tha se me vendet e rajonit janë marrë vesh të hartojnë një dokument për protokoll të ndërsjellë për kufijtë.
“Grupet punuese janë në aktivitetet e tyre të përditshme, kemi shkëmbim të informacioneve gjatë gjithë periudhës dhe tani ne presim një hap tjetër, në të cilën do të kemi edhe një përgjigje konkrete gjatë video-konferencës për të pasur një protokoll të harmonizuar dhe konkret me të gjitha mënyrat sesi do të vazhdoj lëvizja sa më e lehtë e të gjithë udhëtarëve, por gjithmonë duke pasur një kontroll të shpërndarjes dhe përhapjes së virusit korona”, tha Arsllani, shkruajnë mediat shqiptare.