Njësitë e policisë së Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, arrestuan të premten kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.
Avokati i kësaj organizate, Tomë Gashi, në një postim në rrjetet sociale tha se zoti Gucati do të dërgohet në Hagë.
Në orët e pasdites, njësitë e policisë së EULEX-it, të Kosovës dhe pjesëtarë të Prokurorisë së Posaçme për krime lufte me seli në Hagë, arrestuan edhe nënkryetarin e kësaj organizate, Nasim Haradinaj.
Ende nuk dihen shkaqet e arrestimit të zotit Gucati dhe zotit Haradinaj, organizata e të cilëve në tri raste gjatë këtij muaji tha se ka marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.
Të martën kjo Organizatë tha se një person i panjohur ka lënë dokumente, që pretendohet se përmbajnë aktakuza të përgatitura ndaj udhëheqësve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, që trajton pretendimet për krime lufte në Kosovë, tha të martën se është e angazhuar që të hetojë dhe të ndjekë ata që publikojnë identitetin e individëve që mund të thirren para Gjykatës së Posaçme.
Arrestimi i zotit Gucati u krye një ditë pasi që Prokuroria e Posaçme arrestoi ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sali Mustafa, në bazë të akuzës për veprat: “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë ndaj 6 personave dhe një vrasje të paligjshme” në muajin prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në Zllash, një zonë në lindje të Prishtinës.
Zoti Mustafa ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 ndërsa pas luftës kishte shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës e më pas edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ky është arrestimi i parë i kryer nga Gjykata e Posaçme e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Gjykata e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.
Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.
Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Hetimet, sikurse edhe ngritja e gjykatës dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.
Organizata e Veteranëve u ka bërë thirrje deputetëve të parlamentit të Kosovës që të ndryshojnë ligjin për themelimin e Gjykatës dhe për t’i siguruar asaj një karakter gjithëpërfshirës duke ndjekur edhe krimet e kryera nga forcat serbe./VOA