Bullgaria problem, jo fillim të bisedimeve! KE me porosi: Të respektohen marrëveshjet

Historiani dhe profesori bullgar, Stefan Deçev nuk pajtohet me politikat e kreut shtetëror të vendit të tij drejt Maqedonisë, duke thënë se është koha që Bullgaria të ndalojë me pretendimet për gjuhën maqedonase. Ai këtë e deklaroi në një intervistë për “Blumberg Bullgari”, ku tha se kombi maqedonas me të gjitha karakteristika dhe veçoritë e tij, është krijuar si te të gjitha kombet e tjera.

“Duhet kuptuar se dialekti është vetëm dialekt dhe se ai nuk ka emër. Gjuha zyrtare e një shteti nuk mund të jetë dialekt. Derisa nuk kuptohet se identiteti i një kombi është dinamik dhe kombi nuk jepet gjenetikisht, çdo bisedë mes komisioneve të përziera të Bullgarisë dhe Maqedonisë do të jetë e panevojshme dhe do të shkojë në qorrsokak”, theksoi Doc.D-r Stefan Deçev.

Edhe pse vazhdimisht thoshte se Bullgaria është miku ynë, dje kryeministri Zaev tha se ajo që është propozuar nga Sofja nuk është as vëllazërore, e as evropiane dhe se mund të presim pengesë për hapjen e bisedimeve. Komisioni Evropian nuk deshi ta komentojë deklaratën e Zaevit, vetëm thanë se për ta është me rëndësi të zbatohen marrëveshjet bilaterale.

“Unë mendoj se për ne është shumë e qartë se ka marrëdhënie të mirë ndërfqinjësore në Ballkanin Perëndimor dhe se bashkëpunimi rajonal është element kyç në procesin e zgjerimit dhe procesin e stabilizimit dhe asociimit. Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë janë shembuj pozitiv dhe për ne është shumë e rëndësishme që këto marrëveshje bilaterale të vazhdojnë të zbatohen nga të dyja palët”, u shpreh Ana Pisonero Hernandes – zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se gjatë gjithë kohës Zaevi ka folur të pavërteta – se kemi marrëveshje me fqinjët të cilët i mbyllin çështjet e hapura.

“Para disa viteve, Zoran Zaev publikisht deklaronte dhe i qetësonte qytetarët se të gjitha çështjet në aspekt të jashtëm janë të mbyllura. Tani shohim se këto kanë qenë gënjeshtra, shpresa të rrejshme për qytetarët dhe shohim se më në fund Zoran Zaev pranoi se disa vite me radhë i ka gënjyer qytetarët”, deklaroi Dimçe Arsovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Të premten ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ishte në vizitën e tij të parë zyrtare në Bullgari, ku realizoi takim me kryeministrin Bojko Borisov dhe homologen e tij, Ekaterina Zaharieva, por në deklaratat e tij nuk është vërejtur ndryshim i qëndrimeve rreth gjuhës dhe kombit maqedonas.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme