Koronavirusi i ka marrë jetën këtë të shtunë presidentit të Televizionit “Fax News”, Kasem Hysenbelliu, disa javë pas infektimit me virusin e rrezikshëm.
Mësohet se Kasem Hysenbelliu ishte duke marrë ndihmën e specializuar prej disa ditësh, në spitalin anti-Covid “Medical Park Florya Hastanesi” në Stamboll të Turqisë.
Pavarësisht përpjekjeve të jashtëzakonshme nga stafi i shkëlqyer mjekësor nuk arriti ta fitonte betejën e jetës.
Kasem Hysenbelliu themeloi dhe drejtoi në vitin 2017 televizionin informativ “Fax News”!
Ndërkohë më herët ka qenë dhe Administrator i Përgjithshëm i Televizionit ‘News24’.
Kasem Hysenbelliu po ashtu ka ushtruar dhe funksionin e Administratorit të Përgjithshëm pranë Gazetës ‘Panorama’ dhe “Panorama Sport”.
Stafi i Gazetës “Panorama” i shpreh ngushëllimet familjes dhe miqve për këtë humbje të madhe.
UNIONI I GAZETAREVE
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka publikuar një mesazh ngushëllimi për ndarjen e parakohshme nga jeta të Presidentit të ‘Fax News”, Kasem Hysenbelliu.
“Unioni i Gazetareve Shqiptare ndan dhimbjen e humbjes se nje prej partnereve te vet, mikun dhe bashkepunetorin e dhjetra gazetareve shpiptare, zotin Kasem Hysenbelliu.
Prej gati dy dekadash ai kontribuoi si administrator dhe pronar i mediave audiovizive, kryesisht informative duke qene nje partner aktiv dhe me cilesi te fuqishme njerezore, si dhe me ambicie te fuqishme.
Ai drejtoi disa nga kanalet me te rendesishme informative televizive ne vend si Tv Arberia, News 24, Fax News Tv si dhe redaksi te reja onlini, duke deshmuar kurajo dhe force organizative.
Zoti Hysenbelliu ndau vlerat e nje administratori shume aktiv dhe bashkepunues me dhjetra punonjes dhe gazetare te mediave si dhe me organizatat e gazetareve.
Unioni i Gazetareve Shqiptare u shpreh ngushellimet per ndarjen e parakohshme nga jeta te njeriut te dashur, familjes Hysenbelliu, stafit te Fax News dhe gjithe te afermve te Tij. Qofsh i paharruar miku yne!”, thuhet në mesazhin e UGSH.