Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka kërkuar paraburgim ndaj tetë personave që janë përfshirë në rrahjen e djalit të politikanit serb, Nenad Rashiq.
Nga tetë të dyshuarit, shtatë prej tyre sot do të dalin para gjykatës, ndërsa tjetri person i dyshuar për këtë rast është i mitur.
Lajmin e ka konfirmuar, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Gashi ka thënë se seanca do të mbahet në orën 10:30 dhe të njëjtit do të dalin para gjykatës në Graçanicë, meqenëse rasti është kryer në atë komunë.
Nenad Rashiq dje në një konferencë për media ka treguar se djali i tij, Nikolla Rashiq është sulmuar nga një grup i të rinjve me shufra të hekurta.
Ai ka thënë se djali i tij ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në kokë, ku i janë thyer tre dhëmbë si dhe ka pasur gjakderdhje të madhe.