Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shpjeguar kthimin pas në Kuvend të ligjit për zgjatjen e konceisionit të aeroportit të Tiranës me 13 vite.
‘Faktet tronditëse të kapjes së shtetit, që publikova sot, lidhur me koncesionin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit tregojnë se si është keqpërdorur Kuvendi njëpartiak për të dëmtuar interesin publik dhe kombëtar’, shkruan Meta në Facebook.
Postim i plotë i Ilir Metës:
Në një ditë ishte mobilizuar i gjithë shteti (përveç Presidentit të Republikës) për të “mbyllur letrat” në shkelje flagrante të Kushtetutës, ligjit dhe procedurave ligjore të domosdoshme për zgjatjen e koncensionit të një ndër aseteve më strategjike të shtetit dhe me rëndësi për sigurinë kombëtare.
Sa mirë do të ishte të reagonin me kaq nxitim për t’ju shërbyer pa vonesë qytetarëve, për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e tyre nga pandemia, nga përmbytjet dhe nga bllokimi i rrugëve nga dëbora.