Të rinjtë janë pjesë përbërëse e krijimit të politikave në partinë Alternativa, jo për shkak të kuotave, por për shkak të praktikës së ngritjes së njerëzve të guximshëm dhe të shkolluar, deklaroi për Sloboden Pecat, Afan Elezi, kryetari i Forumit Rinor të partisë Alternativa, transmeton Almakos.
“Alternativa është një parti e re. Të rinjtë janë pjesë përbërëse e krijimit të politikave, jo për shkak të kuotave, por për shkak të praktikës së ngritjes së njerëzve të guximshëm dhe të shkolluar. Nëse flasim për këtë, do të thoja se Alternativa dhe Aleanca për shqiptarët e dëshmuan këtë. Shikoni listat e deputetëve në zgjedhjet e 15 korrikut dhe lehtas do ta hetoni. Për Forumin Rinor të Alternativës mund të thuhet se funksionon si një organizatë në veti, por në pajtim me politikat partiake. Secili aktivitet i organizuar nga Forumi bazohet në gjendjen reale dhe problemet me të cilat përballen qytetarët. Forumi është trup i veçantë dhe si i tillë i bartë të gjitha përgjegjësitë që kanë të bëjnë me aktivitetet dhe aksionet që i realizojnë anëtarët e Forumit Rinor”, theksoi Elezi.
Ai potencoi se Statuti i Alternativës e rangon Forumin Rinor në linjën e njëjtë horizontale si Forumin e Gruas ku e trajton si një trup të përbashkët në korniza të partisë Alternativa.
“ Për strukturimin, organizimin dhe aktivitetet, Forumi Rinor punon sipas Rregullores që është në pajtim me Statutin e Alternativës”, theksoi ai./Almakos/