Përfaqësues të organizatave studentore protestuan sot para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës kundër gjuhës së përdorur nga profesori i Fakultetit Filozofik dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ardian Kastrati.
Kastrati, që postoi në rrjete sociale një satirë të Konicës, u akuzua se e kishte për të përshkruar fizikun e presidentes Osmani, edhe pse më pas ai e mohoi se një gjë e tillë ishte ndaj shefes së shtetit.
Përfaqësuesja e protestuesve, Liridona Sijarina, tha se deklarata e Kastratit ishte seksiste dhe fyese ndaj presidentes dhe se meriton të ndëshkohet. Ajo kërkoi që profesori i UP të përjashtohet nga stafi akademik.
Ajo u shpreh se ky rast nuk duhet të mbetet i izoluar dhe të tejkalohet duke u amnistuar si gabim.
Sijarina: Deklarata e Kastratit ishte seksiste dhe fyese
“Mbrëmë deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe profesori universitar, Ardian Kastrati, bëri një deklaratë seksiste dhe fyese ndaj presidentes së Republikës së Kosovës, znj,. Vjosa Osmani-Sadriu duke komentuar në mënyrë fyese dhe denigurese fizikun e saj. Kjo deklaratë asesi nuk është seksiste dhe një qasje e tillë nuk guxon asesi të lexohet si gabim i cili mund të amnistohet dhe të tejkalohet si një rast i izoluar por duhet lexuar si një mendësi e etabluar e cila është thellësisht patriarkale”, deklaroi ajo.
Sipas Sijarinës, gjuha e përdorur është gjuhë e urrejtjes e cila, sipas saj, është edhe një nga shkaktaret kryesore të nënshtrimit të grave, dhunës dhe vrasjes së tyre.
Duke kundërshtuar deklaratën e Kastratit paraqiti edhe kërkesën kryesore atë të shkarkimit të profesorit universitar.
Sijarina: Rektori të iniciojë rast ndaj Kastratit
“Ne kërkojmë nga rektori i Universitetit të Prishtinës që menjëherë të iniciojë rast pranë Këshillit të Etikës lidhur me këtë deklaratë dhe të kërkojë përjashtimin e tij për shkelje të Kodit të etikës dhe promovim të gjuhës së urrejtjes. Rektori duhet menjëherë të themelojë një Komision Hetues i cili do të hetojë procesin e punësimit të Ardian Kastratit në stafin akademik”, tha Sijarina.
Po ashtu, protestuesit patën kërkesë edhe për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, që të shkarkojë Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës, për të cilët thonë se po mbajnë peng Rregulloren për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale në këtë institucion.
Sijarina: Të shkarkohet Këshilli Drejtues i UP
“Kërkojmë që ministrja e Arsimit të shkarkojë Këshillin Drejtues të UP për zvarritje të miratimit të rregullores për parandalimin dhe mbrojtje nga ngacmimet seksuale. Na jemi të vetëdijshëm që janë bërë tri vite që është iniciuar një rregullore dhe është draftuar një rregullore për parandalimin e ngacmimeve seksuale në UP por që tre vjet kemi zvarritje që po ndodhin brenda në UP dhe po rezultojnë që gratë dhe vajzat e reja të cilat studiojnë në UP të ballafaqohen me një situatë ku ato edhe ngacmohen edhe nuk kanë ku të raportojnë se nuk kanë një bazë ligjore që i mbron ato prej ngacmimeve”, u shpreh Sijarina.
Protestuesit i kanë vënë ultimatum Universitetit të Prishtinës që deri të premten kjo rregullore të miratohet ashtu siç është dorëzuar nga grupi punues pa ndonjë ndryshim tjetër.
Sijarina: Rregullorja të miratohet deri të premten
“Këshilli duhet menjëherë të miratojë draft-rregulloren për parandalim nga ngacmimet seksuale ashtu siç është dorëzuar nga grupi punues dhe kjo duhet të bëhet deri të premten. Na konsiderojmë që ndryshimet që tentohen të bëhen prej UP do ta dobësojnë, do ta ndërrojnë, këtë rregullore e cila në mënyrën si është dërguar nga grupi punues përbën një bazë ligjore e cila është mjaft e fuqishme për t’i mbrojtur dhe për të formuar siguri grave dhe vajzave dhe djemve e burrave që studiojnë brenda UP-së”, përfundoi Sijarina.
Ndryshe, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” njoftoi se ka ndjekur me shqetësim situatën e krijuar si pasojë e një shkrimi të publikuar Kastrati dhe se distancohet nga deklarata individuale e profesorit si dhe dënon fuqishëm gjuhën denigruese të përdorur. UP-ja njoftoi se, në ditët në vijim, do ta trajtojë rastin në fjalë, në përputhje edhe me ligjet në fuqi.