Skena politike në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Slloveni është tronditur nga lëvizjet e pretenduara të udhëheqjes shtetërore sllovene, pasi pretendohet se kjo e fundit e ka vizionin e kompletimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Sipas mediave në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke cituar burime të paemërtuara në Bruksel, kryeministri slloven Janez Jansha ia ka dorëzuar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, një dokument mbi prioritetet e Presidencës sllovene të BE-së, në të cilat, siç thuhet, janë përcaktuar udhëzimet mbi “shpërbërjen përfundimtare të ish-Jugosllavisë”, raporton gazeta kroate “Jutarnji.hr”.
Me këtë, siç shkruan “B92”, pretendohet se Jansha donte të informonte kreun e KE-së për një nga prioritetet e Presidencës së Bashkimit Evropian, të cilin do ta marrë Sllovenia nga 1 korriku i këtij viti.
Nga Brukseli aktualisht arrijnë informacione kontradiktore për ekzistencën e dokumentit të diskutueshëm. Korrespondenti i gazetës sllovene “Delo” nga Brukseli, Peter Zherjaviq, njoftoi në llogarinë e tij në “Twitter” se i është konfirmuar nga zyra e Charles Michelit se ai kishte marrë “non – paper” nga Jansha, por që pas më pak se gjysmë ore gjërat ndryshuan: “Nuk mund të konfirmojmë që kemi marrë ‘non-paper’”, kanë thënë nga Brukseli.
Gjithçka filloi me artikullin e portalit të BeH “Politicki.ba”, për të cilin thuhet se është i lidhur me komunitetin lokal të inteligjencës, i cili njoftoi se Jansha angazhohet në favor të ndryshimit të kufijve të Serbisë dhe Kosovës sipas planit Vuçiq – Thaçi, i cili ishte në opsion vitin që shkoi derisa Donald Trump ishte presidenti i SHBA-së, por ai u kundërshtua fuqimisht nga Gjermania, shkruan gazeta kroate “Jutarnji.hr”.
Në këtë artikull thuhet se Jansha ka shkuar një hap tutje, duke parashikuar mundësinë e shkëputjes së Republikës Srpska, bashkimit të pjesëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore me shumicën shqiptare në Shqipëri dhe bashkimi i Hercegovinës Perëndimore me Kroacinë. Një variant rezervë i planit të pretenduar të Janshës është formimi i tri republikave kombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë. Serbia dhe Kroacia, sipas portalit “Politicki.ba”, do të kishin lidhje të ngushta me vendet e tyre amë, ndërsa Republika Boshnjake do të fitonte një korridor sipas ujërave ndërkombëtare detare, që do të garantohej nga NATO-ja.
Mediumi i njëjtë Janshën e paraqet si zëdhënësin më të zëshëm të “përfundimit të rënies së ish-Jugosllavisë”, duke thënë se ka kohë që ai e shtyn përpara konceptin e “Serbisë së madhe” dhe “Shqipërisë së madhe”. “Potpora Hrvatske, Mawarske, Poljske.”
“Politicki.ba” shton po ashtu se kryeministri slloven nuk është i vetëm në përpjekjet e tij që t’i ridefinojë kufijtë në Ballkan dhe se për këtë ka mbështetjen e Hungarisë, Kroacisë dhe Polonisë, ndërsa këtij plani dritën jeshile ia kanë dhënë edhe Austria e Franca. Kujtojmë se ky i fundit kishte shprehur neutralitet gjatë bisedimeve Vuçiq – Thaçi, shkruan më tej “Jutarnji”.
Shkrimi i këtij mediumi nga BeH ndoshta nuk do të kishte jehonë sikur mos ta ngrehte në një nivel më të lartë anëtari i Presidencës së BeH, Zhelko Komshiq, nga zyra e të cilit ftuan në bisedë ambasadoren sllovene në BeH, Zorica Bukinac. Këtë ata e bënë, mes tjerash, edhe për shkak të qëndrimit të mëhershëm të presidentit slloven, Borut Pahor, gjatë qëndrimit të tij të paradokohshëm në BeH, i cili, sipas deklarimeve të Komshiqit, më 5 mars në Sarajevë, ai i kishte pyetur anëtarët e Presidencës trepalëshe në lidhje me ndarjen e këtij shteti.