Në Shqipëri, Komisioni i Ligjeve nisi sot shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh socialistë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta . Socialistët, siç u shprehën dhe sot në Komision, janë të mendimit se Kreu i Shtetit ka shkelur rëndë Kushtetutën para dhe gjatë procesit zgjedhor, “duke u bërë palë me opozitën apo duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës”.
Sipas deputetes socialiste Vasilika Hysi, e cila prezantoi nismën para anëtarëve të Komisionit “presidenti i Republikës në rolin e Kreut të Shtetit shqiptar, i cili duhet të garantojë Kushtetutën dhe të përfaqësojë unitetin kombëtar, nuk e ka ushtruar funksionin e përfaqësuesit të unitetit kombëtar, pra nuk ka qenë mbi palët, nuk e ka mbrojtur këtë unitet, madje e ka dëmtuar atë”, tha zonja Hysi sipas së cilës, presidenti Meta “para dhe pas fushatës, madje dhe ditën e heshtjes zgjedhore, ka bërë deklarata të rënda publike, me gjuhë urrejtje, që nxisnin konfliktin dhe ka kryer haptazi aktivitet partiak”.
Komisioni i kishte dërguar një shkresë Kreut të Shtetit ku e njoftonte për mbledhjen e sotme. Por në përgjigjen e saj, Presidenca vëren se njoftimi, “nuk jep asnjë sqarim mbi arsyet se pse dërgohet, apo çfarë kërkohet prej Presidentit të Republikës, qoftë dhe referuar kërkesave proceduriale të detyrueshme për respektim nga ana e Komisionit të Ligjeve sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë”.
Socialistët janë në garë me kohën, pasi ngritja e Komisionit hetimor që do të vlerësojë kërkesën për shkarkim, duhet të miratohet në seancë brenda datës 9 maj, që përkon dhe me fillimin e katërmujorëshit të fundit të parlamentit, kohë në të cilën nuk mund të ngrihen komisione hetimore. Kjo shpjegon dhe ngutin me të cilin ata po veprojnë. Dy vjet më parë, një tjetër nismë e ngjashme u mbyll me tërheqjen e tyre, pasi Komisioni i Venecias vlerësoi se “sjellja e Presidentit, nuk duket se justifikon shkarkimin e tij”.
Nga ana tjetër socialistët janë të detyruar të respektojnë rigorozisht procedurat, duke qenë se fjala e fundit i takon Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vlerësojë edhe hapat e procesit të ndjekur. Për këtë arsye ata vendosën të thërrasin në seancë dhe Kreun e Shtetit, duke i lënë megjithatë atij, një afat tejet të shkurtër kohor, prej vetëm 24 orësh./VOA