Kolicioni AlternAtivA dhe Aleanca për Shqiptarët: Numri i vdekjeve nga virusi flet për vdekjen e institucioneve përgjegjëse

Duke e ndjekur në vazhdimësi gjendjen e krizës së shkaktuar nga pandemia Covid 19, si dhe duke i parë pasojat që i sjellë kjo pandemi, koalicioni AlternAtivA dhe Aleanca për Shqiptarët konstaton se Qeveria e RMV-së dhe Ministria e Shëndetësisë vazhdojnë të sillen me neglizhencë ndaj lëshimeve të bëra nga vetë ata, gjë që si pasojë po rezulton me numër të madh të vdekjeve, si dhe dëme të tjera shëndetësore dhe materiale.

Kështu, përkundër faktit se ka rënë ndjeshëm numri i infektimeve, vazhdon të mbetet i lartë numri i të vdekurve. Sa për krahasim, derisa në Maqedoninë e Veriut gjatë muajit prill mesatarja e infektimeve ka qenë 728 në ditë, në Kosovë ka qenë 472 dhe në Shqipëri ky numër ka qenë 189 të infektuar në ditë. Ndërkaq, kur i krahasojmë shifrat e vdekjeve, derisa në Maqedoni në prill mesatarja ka qenë 37 persona të vdekur në ditë, në Kosovë ka qenë 13 dhe në Shqipëri ka qenë 5 persona të vdekur në ditë.

Këto shifra flasin për dy gjëra: 1) Se ka rënë ndjeshëm virulenca e virusit dhe ky është një lajm i mirë dhe 2) Se është rritur neglizhenca e pushtetit në Maqedoninë e Veriut ndaj të sëmurëve me Covid-19, që është një lajm i keq. Ndryshe nuk ka mundësi që vendi ynë përsëri të mbetet me shkallë kaq të lartë infektimeve dhe, veçmas, të vdekshmërisë.

Pra, me gjithë rënien e virulencës së virusit, Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet ndër vendet me vdekshmëri më të lartë në Europë dhe kjo nuk shpjegohet ndryshe, pos me dështimin e plotë të sistemit shëndetësor. Vetëm një shtet joserioz, me këso qeverie dhe me këso drejtuesish në Ministrinë e Shëndetësisë mund të lejojë që numri i infektimeve dhe numri i të vdekurve të vazhdojë të mbetet pakrahasimisht më i lartë në rajon dhe në Europë.

Prandaj, kjo gjendje kërkon që dikush të japë përgjegjësi dhe të japë llogari. Në kushte normale këto shifra do të nënkuptonin jo vetëm dorëheqje të ministrit të Shëndetësisë, por edhe të Kryeministrit, por duke e ditur se ky pushtet nuk e njeh nocionin e përgjegjësisë, është e nënkuptueshme se as këto shifra nuk paraqesin shqetësim për ata.

Prandaj mundësia e vetme që të shpëtojmë nga ky pushtet i papërgjegjshëm është që ai të shporret sa më shpejt, qoftë përmes zgjedhjeve të reja ose përmes krijimit të një shumice të re. Kjo është mënyra e vetme që qytetarët të shpëtojnë dhe që shifrat e humbjeve dhe dështimeve të ulen.

AlternAtivA – Shkup

Shkup, 06.05.2021

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme