Në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin u mbajt protestë kundër sulmeve të Izraelit ndaj palestinezëve në Xhaminë Al-Aksa, Kudsin Lindor dhe Rripin e Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në protestën e organizuar nga shoqatat palestineze, mijëra persona u mblodhën në sheshin “Alexander” për të protestuar kundër sulmeve izraelite ndaj palestinezëve dhe për të treguar solidaritet me palestinezët.
Pas tubimit protestuesit marshuan nga bulevardi “Unter Linden” deri në bulevardin “Wilhelm”.
Protestuesit mbajtën në duar flamuj të Palestinës dhe pankarta me mbishkrimet “Liri për Palestinën”, “Të hiqet bllokada e Gazës-burgut më të madh të botës”, “Kjo nuk është antisemitizëm, kjo është kundërshtim ndaj aparteidit, anti-kolonializëm dhe kundër pushtimit”, “Politika izraelite për vendbanimet në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”.
Në protestën ku u hodhën slogane kundër qeverisë izraelite morën pjesë edhe një numër i madh i shtetasve turq.
Elissar el-Hammoud, një nga pjesëmarrëset në protestë, në një deklaratë për AA tha se ka marrë pjesë në këtë protestë për të treguar se qëndron në anën e paqes. “Pavarësisht çdo gjëje, në botë duhet të bëhen përpjekje për këtë. Pavarësisht nëse jeni apo jo palestinezë. Unë jam palestineze dhe tashmë nuk dua që populli im të vuajë. Familja ime u dëbua përpara disa viteve dhe tashmë askush nuk është i detyruar ta pranojë këtë”, tha Elissar el-Hammoud.
Duke kërkuar që edhe forcat evropiane të tregojnë përpjekje për paqen, Hammoud tha: “Të ndalojnë mohimin për atë që ka ndodhur për dekada, të ndalin mbështetjen ndaj shtetit të Izraelit, të ndalin vrasjen e fëmijëve me financimet dhe armët që kanë dërguar atje”.
Protestuesja 16 vjeçare Soleil Guy tha se ndodhet në këtë protestë për të protestuar ndaj krizës humanitare në Palestinë dhe ndaj asaj çka po vepron aktualisht Izraeli. “Jemi këtu për të mbështetur njerëzit, sepse ata janë njerëz dhe sepse unë besoj që ka ardhur koha që njerëzit të bashkohen dhe të luftojnë për gjëra të rëndësishme”, tha Soleil Guy.