VIDEO/ Urdhri ekzekutiv i presidentit Biden, çfarë flitet specifikisht për Shqipërinë

Për herë të parë përmendet specifikisht Shqipëria në urdhërin që presidenti i SHBA Joe Biden ka nënshkruar për Ballkanin Perëndimor. Në këtë urdhër ekzekutiv përcaktohen saksione për shkeljen e marrëveshjeve si ajo e Prespës e vitit 2018; Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001; Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara; Marrëveshjet e Dejtonit etj. Ndërkohë që theksohet se personave që destabilizojnë Ballkanin do t’u ndalohet hyrja në SHBA si dhe do t’u sekuestrohet pasuria.

Nga SYRI TV

Presidenti amerikan Joe Biden ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv ku theksohet se do tu sekuestrohet pasuria dhe do tu ndalohet hyrja në SHBA personave të cilët destabilizojnë Ballkanin dhe që kërcënojnë integritetin territorial të shteteve të rajonit.

Në këtë urdhër ekzekutiv përfshihen republikat e ish-Jugosllavisë si dhe Shqipëria. Urdhri ekzekutiv është publikuar mbrëmjen e së martës në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.

Urdhri i sotëm siguron shtesë sanksionesh, duke përfshirë individë që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin dhe integritetin territorial të çdo zone ose shteti në Ballkanin Perëndimor, si dhe ata që janë përgjegjës apo bashkëpunëtorë që janë përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në abuzime serioze të të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018; Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001; Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara; Marrëveshjet e Dejtonit; ose Konkluzionet e Këshillit të Konferencës për Zbatimin e Paqes të mbajtur në Londër në Dhjetor 1995, duke përfshirë vendimet ose konkluzionet e Përfaqësuesit të Lartë, Këshillit të Zbatimit të Paqes ose Bordit Drejtues të tij; Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë, në lidhje me ish Jugosllavinë, Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetjeve për Tribunalet Penale.

Në një letër drejtuar Kryetareve te Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, Presidenti Biden informon për korrupsionin e përhapur brenda qeverive në Ballkanin Perëndimor si dhe parashtron sanksionet ndaj individëve që minojnë proceset demokratike dhe institucionet.

Veprimet që minojnë marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës pas shpërbërjes së ish-Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, si dhe korrupsioni i përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, pengojnë progresin drejt një qeverisje efektive dhe demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, dhe në këtë mënyrë përbën një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Prandaj, kam përcaktuar se është e nevojshme të bllokohet prona e çdo personi që përcaktohet nga Sekretari i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit, se minon proceset demokratike ose institucionet, minon çdo siguri rajonale, paqen, bashkëpunimin ose marrëveshjen e njohjes reciproke, përfshirë abuzime serioze të të drejtave të njeriut, ose përfshirë drejtpërdrejt apo indirekt në korrupsion në lidhje me Ballkanin Perëndimor.

Urdhri zgjeron shtrirjen gjeografike të regjimit ekzistues të sanksioneve duke përfshirë Shqipërinë dhe rrit kriteret e përcaktimit për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ne urdhrin ekzekutiv thuhet se garantimi i sigurisë dhe stabilitetit politik të rajonit të Ballkanit Perëndimor është në përputhje me angazhimin e Administratës Biden për avancimin e interesave thelbësore të sigurisë kombëtare të SHBA, përfshirë mbrojtjen e institucioneve demokratike. Departamenti i Thesarit, në konsultim me Departamentin e Shtetit do të vazhdojë të azhurnojë listën e individëve që i nënshtrohen sanksioneve sipas këtij urdhri.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme