Paraditen e djeshme, mediat greke raportuan se kishte zhvillime të rëndësishme sa i përket dosjes për vrasjen e 20-vjeçares britanike, Caroline Crouch.
I shoqi i saj, Babis Anagnostopoulos ishte marrë me helikopter për t’u dërguar në zyrat e policisë kriminale. Fillimisht u raportua se policia ishte pranë arrestimit të autorit, për të cilin mediat greke kishin spekuluar gjerësisht se bëhej fjalë për një grabitës të dhunshëm me origjinë shqiptare.
Pak orë më vonë u zbardh skenari. Babis Anagnostopoulos ishte vënë në pranga për vrasjen e të shoqes, britanikes Caroline, një krim që tronditi jo vetëm Greqinë.
Më pas i thanë se duhej të fikte celularin. “Mos bëj skena pasi ka shumë kamera televizive,” i thanë policët. “Kemi arrestuar një të dyshuar në aeroport dhe ti duhet ta identifikosh”, shtuan ata.
Mamaja e 20-vjeçares e pyeti se ku po shkonte dhe ai tha se duhej të identifikonte të dyshuarin e arrestuar. Mes tyre pati një përqafim të gjatë dhe lot.
Babis nuk e dinte se pak orë më vonë do i vendoseshin prangat dhe ai do rrëfente krimin e rëndë. Ai pranoi se e vrau gruan e tij duke e mbytur me një rrobë në gojë. Më pas mbyti edhe qenin për të krijuar idenë se kishte ndodhur një grabitje e dhunshme.
Babis, një pilot 33-vjeçar, kishte ndërtuar një plan që u rrëzua plotësisht nga gjurmuesi i fitnesit që mbante në dorë Caroline. Ai tregonte se zemra e saj kishte pushuar shumë përpara se të ndodhte ‘grabitja’ e supozuar.
Të dhënat nga telefoni i Babis tregonin se ai kishte lëvizur shpesh nëpër shtëpi gjatë kohës kur kishte deklaruar se grabitësit e kishin lidhur në krevat.
Edhe të dhënat e kamerave të sigurisë ishin hequr përpara se të ndodhte krimi i pretenduar nga Babis.
Ky i fundit u detyra të pranojë krimin pas tetë orësh në pyetje. Ai tha se e kishte vrarë të shoqen pasi ajo e kishte kërcënuar se do e linte dhe se do i merrte me veten edhe fëmijën.
Policia greke tha se ata kishin dyshime për Babis që në momentin e parë kur e panë. Ai dukej shumë i ftohtë në deklarimet e tij.