Njëri prej ish themeluesve të LPK-së, Ibrahim Kelmendi, përmes një shkrimi në Facebook, ka treguar detaje të reja për konfliktin e Hashim Thaçit dhe Behajdin Allaqit.
Kelmendi duke komentuar një rrëfim të dr. Sadri Ramabajës bërë kohën e fundit në media i cili ndër tjera ka folur edhe për Thaçin, thotë se, Thaçi ishte pjesëmarrës në Konsulltën e Kollarës në Kërçovë në prill të vitit 1993 në Mbledhjen e Katërt të përgjithshëm të LPK-së.
Sipas tij, Thaçi aty kishte konfliktin e parë me Behajdin Allaqit dhe qysh atëherë, Kelmendi thotë se i bëri komplot Behajdinit.
Postimi i plotë:
FRAGMENTE HISTORIKE OBJEKTIVE PËR UÇK-në
– të rrëfyera e të shtjelluara nga Dr. Sadri Ramabaja, në cilësi studiuesi, por edhe të protagonistit.
Më erdhi keq që Bashkëveprimtarit Sadi i mungonte informimi për pjesëmarrje të Hashim Thaçit në Konsulltën e Kollarës (Kërçovë) në prill 1993 dhe në Mbledhjet e Katërt të përgjithshme të LPK-së, mbajtur në Prishtinë më 26-27 korrik 1993. Pikërisht në Konsultën e Kollarës ka ndodhur konflikti i parë mes Hashim Thaçit dhe Behajdin Allaqit. Hashimi qysh atëherë ia del të bën komplot kundër Behadinit, i cili ishte zgjedh në grup të organizimit të Mbledhjes së Katërt, por Hashimi i imponohet atij Grupi në vend të Behadinit…
Sqarim konkretizues: Në Mbledhje të Katërt të Përgjithshme të LPK-së vendoset themelimi i UÇK-së. Në dhjetor 1993 Këshilli i Përgjithshëm themelon Fondin „Vendlindja thërret“ dhe Sektorin e rëndësisë së veçantë. Pasi u dëshmua i suksesshëm formimi i UÇK-së, përmes aksioneve guerile, Kryesia e LPK-së më 17 nëntor 1994 vendos të emërtohet: Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe miraton Shtabin Qendror, që tashmë ishte formuar. Pra, Kryesia nuk e ka themeluar UÇK-në më 17 nëntor 1994, por vetëm ka caktuar emrin dhe ka miratuar Shtabin Qendror…
Falënderime Bashkëveprimtarit Sadri – për rrëfime e shtjellime korrekte!