Sa më i varfër të jetë një vend, aq më shumë shpenzon popullsia e tij për t’u ushqyer. Kënaqësitë mbeten në një hapsirë të dytë. Këtu i referohemi pushimeve, argëtimeve, udhëtimeve etj. Nëse krahason se për çfarë i shpenzojnë paratë shqiptarët në krahasim me mesataren e BE-së, disbalancat në nivelin dhe stilin e jetesës janë të dukshme, në drejtim të ushqimeve, transportit, argëtimit, restoranteve etj., me përjashtim të veshjeve, ku konkurrojmë bindshëm.
“Monitor” ka bërë një krahasim të strukturës së shpenzimeve të familjeve shqiptare dhe atyre të BE-së, duke u nisur nga Anketa e Buxhetit të Familjeve 2015 të INSTAT dhe anketës së familjeve të BE-së, të publikuara nga INSTAT, të matura të dyja sipas nomenklaturës COICOP. (Classification of Individual Consumption According to Purpose- Klasifikimit të Konsumit Individual sipas Qëllimit).
Kur vjen puna tek veshjet, shqiptarët, sidomos të rinjtë nuk
kursehen. Të lira, apo të shtrenjta, veshjet më në modë hyjnë me
shpejtësi në dyqane dhe po aq me shpejtësi shihen dhe në rrugë.
Ndërsa europianët shpenzojnë 5.1% të buxhetit për veshje e këpucë, për shqiptarët shifra është e ngjashme, prej 4.9%.
Hapja e universiteteve private dhe rritja e tarifave të universiteteve shtetërore ka shtuar shpenzimet e shqiptarëve në 2.1% të buxhetit, ndërsa për europianët është 1.1%. Jo se këta të fundit nuk preferojnë të arsimohen, por kanë më shumë alternativa me arsimin publik. Për shëndetin, shpenzimet janë të ngjashme, 3.6% në Shqipëri dhe 3.7% në vendet e BE-së. /albeu.com/