Albert Krasniqi i KDI-së ka bërë një analizë me të dhënët që më parë i kishte bërë IFES Kosova, në lidhje me pjesëmarrjen e të rinjve në zgjedhje.
Ka thënë se në katër palë zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë, pjesëmarrja e votuesve të rinj (18-21 vjeç) ka qenë më e madhe edhe sasa pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhje edhe në raport me të gjitha grupmoshat e tjera.
“Kjo pjesëmarrje e votuesve të rinj ka lëvizur prej 50% deri në 56%, e që potencialisht bëhet fjalë për rreth 80 mijë vota. Partitë politike që injorojnë potencialin e votuesve të rinj nuk kanë të ardhme”, ka thënë Krasniqi.
Përndryshe, organizata ku punon Krasniqi ka publikuar dje një hulumtim që ka pyetur 1200 të rinj të moshave 17-21 vjeç.
Sipas këtij hulumtimi, interesimi për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhme parlamentare është treguar i lartë tek të rinjtë, ku 76.1% janë shprehur të interesuar për të votuar, raporton Koha.net. Programi politik, lista e kandidatëve dhe historiku i partisë del të jenë ndër faktorët përcaktues për të votuar një subjekt politik.
Në këtë drejtim, të rinjtë ndërmjet moshës 17 dhe 21 vjeçare kanë deklaruar se nëse zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbaheshin nesër, do të votonin për këto parti politike: Lëvizja VETËVENDOSJE! 27%; Partia Demokratike e Kosovës (20%); Lidhja Demokratike e Kosovës (13%); Aleanca Kosova e Re (7%); Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (7%), Nisma për Kosovën (3%) si dhe Lista Serbe (3%).
Një numër i madh i të anketuarve prej 18% kanë refuzuar të përgjigjen në pyetjen se për cilën parti politike do të votonin në zgjedhjet e ardhshme.