Kush është Malcolm Simmons që po e akuzon EULEX-in si mision politik.
Malcolm Simmons është angazhuar që të paraqesë prova të cilat thotë se i ka për keqpërdorime që pretendon se kanë ndodhur në misionin evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX. Britaniku e ka quajtur mision politik EULEX-in, ndërsa këta të fundit e kanë akuzuar po ashtu atë. Më poshtë ka një histori të shkurtër për veprimtarinë e Simmonsit para se ai të angazhohej në EULEX dhe pas kësaj periudhe.
Ish-kryetari i Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ka raportuar dje para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për pretendimet e tij të kamotshme për korrupsion dhe keqpërdorime në këtë mision evropian për sundimin e ligjit.
Raportimin e tij para deputetëve nuk e priti mirë EULEX-i që reagoi duke i quajtur të pavërteta të gjitha deklaratat e Simmons.
Në dorëheqjen e tij në vitin 2017, Simmons EULEX-in e quajti mision politik që synonte që t’i largonte nga jeta publike e politike disa individë dhe politikanë me ndikim.
Më herët patën rrjedhur komunikime të Simmons me zyrtarë të EULEX-it në të cilat pretendohej se ai kishte ngritur dyshime për keqpërdorime dhe ndikime në proceset gjyqësore.
EULEX-i me kundër-akuza për Simmonsin
Pas akuzave që i bëri Simmons në vitin 2017, një ekip i pavarur hetimor i udhëhequr nga një gjykatës në pension i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë i hetoi pretendimet e tij. EULEX-i thotë se Simmons dështoi t’i mbështeste akuzat që i kishte ngritur.
“Në vitin 2017, një ekip hetimor i pavarur i udhëhequr nga një gjyqtar i pensionuar i Gjykatës Evropiane të drejtësisë u themelua në Bruksel për të hetuar pretendimet për shkeljet e raportuara nga Simmons. Kur i ishte dhënë mundësua t’i vërtetonte pretendimet e tij të ndryshme, Simmons nuk bashkëpunoi me ekipin e hetimeve e as nuk dha prova në mbështetje të pretendimeve të tij”, thuhet në reagimin e djeshëm të EULEX-it.
EULEX-i thotë se Malcolm Simmons kishte qenë vetë subjekt i hetimeve të pavarura për akuza serioze për keqpërdorim gjatë kohës sa e kishte ushtruar funksionin e gjykatësit në këtë mision.
Dyshimet për biografinë e Simmonsit
Koalicioni për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në Evropën Juglindore kishte publikuar një hetim ku thuhej se Simmons nuk kishte qenë asnjëherë i angazhuar si gjykatës në Angli apo Uells, duke shkelur kështu rregulloren e OKB-së që kërkon përvojë 5 vjeçare në vendet e tyre, para se të dërgohen në Kosovë. Ai po ashtu akuzohet se nuk ka qenë kurrë i regjistruar as si avokat.
Këto i kishte pohuar Bordi i Standardeve të Barit në Britaninë e Madhe. Ai u certifikua si avokat praktikant nga nëntori i vitit 1992 deri në vitin 2000.
Sipas sistemit të Britanisë së Madhe, avokatët në praktikë zakonisht shpenzojnë pak kohë në sallën e gjyqit.
Simmons akuzohet gjithashtu se kishte mashtruar duke paraqitur doktoraturën nga një Universitet që është mbyllur për shkak se kishte shitur diploma false.
Insitutucioni zyrtar i Arsimit të Lartë në Mbretërinë e Bashkuar për verfikimin e diplomave dhe të Universiteteve (HEED), kishte konfirmuar se diplomat e “FairFax University” nuk vlejnë në sistemin e Britanisë si diploma të cilat mund të përdoren për ndonjë gradim në karrierë.
“Universiteti FairFax nuk është i akredituar si i tillë, e as diplomat nga ky Universitet nuk janë të akredituara e as nuk mund të merren për bazë për ngritje në karrierë. Diplomat nga ky universitet janë ‘diploma mill’”, thuhej në komunikatën e HEED.
Simmons ishte emëruar gjykatës i Krimeve të Luftës në Bosnje dhe në një Gjykatë për Krime dhe Korrupsion në vitin 2006.
Ai u cilësua si gjykatës ndërkombëtar, sipas dokumentit për emërimin e tij të nënshkruar më 5 maj të atij viti nga Përfaqësuesi i Lartë i atëhershëm për Bosnje e Hercegovinë, Christian Schvarz-Schilling.
Kur i kishte përfunduar mandati në Bosnje në vitin 2008, Zyra e Jashtme e Britanisë e kishte dërguar atë në EULEX, ku u bë kryetar i gjykatësve të këtij misioni në vitin 2014.
Kryetarja e Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës, Maxhida Kreso e kishte kundërshtuar haptas zgjatjen e mandatit të Simmons në vitin 2006.
“Kemi dëgjuar se një nga gjyqtarët nuk ka qenë kurrë gjykatës në vendin e tij. Ai nuk e din as Ligjin e vendit të tij e lërë më të Bosnjës”, kishte thënë ajo.
Ai dje para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, tha se në EULEX kishte ndikime politike dhe se kërkohej që ata t’i dënonin ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai tha dje Gjykata Speciale “është aty vetëm për t’i ndëshkuar ish-komandantët e UÇK-së”.
“Në Gjykatën Speciale kam po aq besim sa do të kisha pasur në një gjykatë në Rusi apo në Iran. Ky është niveli i besimit që unë e kam në Dhomat e Specilizuara të Kosovës”, tha Simmons.
Ndër tjerash, Simmons tha se për të dënuar politikanë të rangut të lartë, bëhej presion nga ndërkombëtarët dhe kishte kërkesa specifike.
“Më kanë thënë se misioni ka synuar të largojë nga jeta politike persona që quheshin peshqi të mëdhenj. Më thanë se presin të shohin gjykatësit e EULEX-it t’i dënojnë ata”, tha Simmons.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, është shprehur i habitur se përse Kuvendi i Kosovës i ofroi hapësirë Simmonsit.
“Refuzim shumë bindës dhe gjithëpërfshirës i EULEX-it për pretendimet e paqena. Unë thjesht pyes veten pse Kuvendi i Kosovës ende i siguron ish-gjykatësit Simmons një hapësirë për të vazhduar këtë fushatë dezinformomi”, shkroi Rohde në Twitter.
Ambasadorit i reagoi shpejt ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, duke thënë se ka dokumente dhe e-maile që i mbështesin pretendimet e tij.
“Le të dëgjojmë nga EULEX-i dhe nga shtetet anëtare gjatë shqyrtimit publik. E-mailat dhe dokumentet janë aty që t’i shohin të gjithë”, ka shkruar Simmons.