Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka deklaruar se nëse Qeveria e Kosovës nuk e formon Bashkësinë e Komunave Serbe (Zajednica Srpskih Opstina), atëherë serbët këtë do ta bëjnë vetë deri më 15 shkurt 2017.
Këto deklarata Gjuriq i ka bërë pas një takimi që kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka zhvilluar në Beograd me përfaqësuesit e serbëve në institucionet e Kosovës, shkruan sot, gazeta “Zëri”.
“Ne nuk do ta lusim askënd për zbatimin e asaj që jemi marrë vesh. Nëse në kohën prej disa javëve të ardhshme nuk do të ketë hapa konkret për formimin e ZSO-së, përfaqësuesit e serbëve në marrëveshje me shtetin e tyre do të fillojnë vetë ta formojnë ‘Zajednicën’ deri më 15 shkurt. Serbët vetë do të fillojnë të merren vesh se si do të duket ‘Zajednica’, cilat do të jenë kompetencat e saj, që t’i krijojnë institucionet që do të merren me çështjen dhe mënyrën e qëndrimit dhe mbetjes në këto hapësira dhe për mbrojtjen e popullit serb në Kosovë e Metohi”, ka thënë Gjuriq.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu, se për Kërshëndellat Ortodokse, më 6 apo 7 janar 2017, kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, do të qëndrojë në veri të Kosovës që të jetë me popullin.