Ka shkuar në 11 numri i personave të arrestuar, në operacionin e koduar “Transferta”, që ka dërguar në goditjen e një grupi, që ndërhynte në llogaritë e “Facebook” të qytetarëve. Në pranga ka rënë 22-vjeçari E.K.
“Në vijim të operacionit policor të koduar “Transferta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike, finalizuar me datë 07.07.2020 nga DVP Tiranë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 10 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë u bë kapja e shtetasit E. K dhe ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, për shtetasin e shpallur në kërkim E. K., 22 vjeç” njoftoi policia.
Ky shtetas, në bashkëpunim me 10 të arrestuarit e tjerë, për një periudhë 1-vjeçare, ka ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook, duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive.
Vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”.
© SYRI.net