Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se e kanë mundësuar kthimin e 11 shtetasve të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri.
“Sot, ne kemi kthyer 11 shtetas të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri. Duke i kthyer këta persona, ne jemi duke ushtruar përgjegjësinë tonë, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por edhe si anëtarë të Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in. Kosova gjithmonë do të jetë shtëpia e qytetarëve të saj”.
“Ata të cilët kanë kryer krime, këtu apo jashtë, do të ndiqen penalisht. Gruaja dhe fëmijët që kemi kthyer sot kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë. Ne kërkojmë nga të gjithë që të respektojnë privatësinë e tyre në ditët, javët dhe muajt në vazhdim. Ata kanë dhe meritojnë të kenë kohën dhe hapësirën e nevojshme që të adaptohen. Qeveria jonë është duke i ndihmuar që të kthehen në familjet e tyre, në mënyrë që ata të riintegrohen në rrethin e tyre. Ne nuk do të ndalemi së shërbyeri qytetarëve tanë!”, ka thënë Sveçla.