VOA: 5 vjet nga miratimi i reformës në drejtësi, rezultate të vonuara, shtrembërime dhe zvarritje

Në 5-vjetorin e miratimit nga parlamenti të reformës në sistemin e drejtësisë, Instituti i Studimeve Politike publikoi në studim, sipas të cilit rezultatet e kësaj reforme vlerësohen si të vonuara dhe të pjesshme.

Edhe pse u votua me 140 vota të plota nga parlamenti, forcat politike u bënë pengesa kryesore të reformës në drejtësi, duke shkaktuar shtrembërime e zvarritje të shumta, vërejnë autorët e studimit.

Plot 5 vjet më parë, në korrikun e 2016 pakkush mund ta mendonte se reforma në sistemin e drejtësisë do të kishte sot aq rezultate të pamjaftueshme sa ka aktualisht, edhe pse vlerësohej si domosdoshmëri për demokracinë dhe shtetin shqiptar, thuhet në studim.

Instituti i Studimeve Politike theksoi në studimin e vet që, rezultatet e reformës, ndonëse të vonuara dhe të pjesshme, janë arritjet e vetme të demokracisë funksionale e shtetit të së drejtës.

Falë angazhimit të SHBA-ve dhe BE-së, ajo nisi e vetingu dhe ndryshoi më shumë se 25 ligje të mëparshme. Por koha tregoi, thotë Afrim Krasniqi, drejtues i ISP, se ndryshimet kushtetuese dhe ligjore ishin sa të nevojshme aq edhe të paqëndrueshme e të hartuara me nxitim, sa u desh të korigjoheshin 15 ligje nga 3-4 herë brenda 2-3 vitesh nga i njëjti parlament.

“Ajo që shohim në këto 5 vite është që reforma në drejtësi ishte jetike, positive dhe e domosdoshme për Shqipërinë, por koha na tregoi se ata që e inicuan reformën në drejtësi dhe sidomos në fazën e shkrimit të ndryshimeve kushtetetuese dhe ligore, nuk patën informacionin, përgtitjen dhe vizionin e duhur për ta bërë reformën praktikisht të realizueshme. Sot pas 5 vitesh ne kemi institucioneve të reja të drejtësisë, kemi reformë në drejtësi në progres, por nuk kemi një drejtësi funksionale” – tha zoti Krasniqi.

Studimi vëren se të gjithë institucionet e reja të sistemit gjyqësor u krijuan ose u zgjodhën jashtë afatit kushtetues dhe ligjor.

Midis 2018-2020 Shqipëria mbeti pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, midis 2017-2019 u zgjodh një Prokuror i Përgjithshëm i përkohshëm, ndërkohë që institucione si KLP mbetën për një kohë të gjatë pa anëtarë të plotë dhe SPAK u krijua pa numrin e parashikuar të prokurorëve.

Nisja e vetingut u vonua një vit dhe kur nisi, mbi 50% e prokurorëve dhe gjyqtarëve humbën postet e tyre, duke krijuar efekt domino vakancash në të gjitha nivelet e gjyqësorit dhe të drejtësisë, vëren studimi.

Mbi 50 çështje janë në pritje për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, thuhet në studim, mbi 30 mijë mbeten në pritje në Gjykatën e Lartë dhe 2-3 herë më shumë çështje janë në pritje në nivelet e tjera të gjykatave dhe në prokurori.

“Reforma nuk ka arritur ende të shkojë tek qytetarët dhe është më shumë reformë në aspektin sipërfaqësor, është më shumë, siç thuhet, një reformë në Tiranë, se sa një reformë që shkon realisht tek qytetarët dhe te e drejta qytetare. Deri tani kemi folur për reformë, por tani është koha për performë dhe kjo nuk ka ndodhur.tani janë zgjedhjet për Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë dhe institucione të tjera, por është ende e paqartë nëse prurjet në sistem në të gjithë nivelet janë apo jo më cilësore se sa ata që i larguan nga sistemi për shkak se nuk plotësoni nivle të caktuara” – thotë zoti Krasniqi.

Reforma u miratua me 140 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim dhe nisja e reformës u mbështet edhe nga edhe nga deputetë që ishin kritik ndaj saj dhe dolën si subjekte të dekriminalizimit, ndërsa pas miratimit shumë prej tyre shkaktuan vonesa me mënyrat nga më të ndryshmet.

Në studim theksohet se është jetike një reformë afatgjatë, kapilare dhe revolucionare mbi një bazë të qëndrueshme dhe horizontale besimi, dhe kjo nuk mund të jetë e ndërvarur pa limit kohor nga diplomatë apo zyrtarë me mandate 3-4 vjeçare në Shqipëri.

“Reforma duhet të punojë të ndryshojë kurbë funksionimi për tu bërë reformë për qytetarët dhe me qytetarët; institucionet e drejtësisë duhet të jenë më llogaridhënëse përpara qytetarëve të vet dhe zëra konstruktivë në shoqërinë civile, botën akademike, median, etj, duhen dëgjuar me të

njëjtin respekt si 5-6 rreshtat anglisht në rrjetet sociale. Diplomatët janë këtu për të na

ndihmuar dhe po e bëjnë këtë, por në çdo rast ashtu si suksesi, edhe përgjegjësia, kosto

dhe çmimi i dështimit të mundshëm bie vetëm mbi qytetarët, shtetin dhe vendin tonë” – thuhet në studim.

Instituti i Studimeve Politike thotë se pritshmëria e lartë e qytetarëve tek SPAK dhe tek Gjykata Kushtetuese është tregues i etjes dhe i besimit tek ndryshimi.

“Më 2021 Shqipëria ka Gjykatë Kushtetuese funksionale, Gjykatë të Lartë funksionale, ka Prokuror të Përgjithshëm të pranuar gjerësisht, ka SPAK me mbështetje maksimale, ka ILD funksional, ka KLGJ dhe KLP që po reflektojnë më shumë maturi sesa më parë, ka Shkollë të Magjistraturës funksionale dhe ka vetëdije qytetare për reformën, më realiste, më solide dhe më optimiste” – thekson studimi.

Sipas autorëve të tij, reforma në drejtësi solli mesazhin thelbësor se erdhi koha për llogaridhënie dhe për fundin e pandëshkueshmërisë dhe rrënimin e sistemit korporativ korruptiv, një mesazh ky me shumë vlerë për politikën, e cila ende nuk pranon vettingun në radhët e saj.

“Ndikimi politik, qoftë përmes përdorimit politik të reformës për qëllime elektorale, qoftë nga sistemi i promovimit klanor apo edhe përmes denigrimit me “gjyq publik” të çdo vendim-marrjeje të drejtësisë që cenon oligarkinë politike, mediatike dhe ekonomike: janë tregues tëi qartë se politika në tërësi nuk e ka dashur, nuk e do dhe nuk mund ta duartrokasë reformën në drejtësi” – thekson Instituti i Studimeve Politike.

Sfidat kryesore sipas tyre, mbeten drejtësia profesionale dhe e shpejtë, zhdukja e korrupsionit nga gjykatat, si dhe largimi nga sistemi i gjyqtarëve të akuzuar për korrupsion, duhet shoqëruar me hetime të burimeve financiare, masa ligjore deri në sekuestro.

“Vendimmarrjet profesionale dhe transparente, respektimi i afateve ligjore të hetimit, gjykimit dhe vlerësimit, njësimi i standardeve në dhënien e drejtësisë, drejtësi edhe për qytetarin e braktisur dhe pa mundësi politikë e financiare ndikimi, barazi përpara ligjit dhe përballje reale me dosjet VIP të oligarkisë politikë dhe ekonomike, janë e mbeten sfidë thelbësore e ditëve, javëve, muajve dhe viteve që vijnë. Po ashtu, Harta Gjyqësore nuk mund të jetë hartë krize për emërimet aktuale në drejtësi, por hartë e shanseve dhe të drejtave qytetare për drejtësi” – thuhet në studim.

Instituti i Studimeve Politike tërhoqi vëmendjen edhe tek legjitimeti i institucioneve të drejtësisë, ku, sipas tij, nevojiten ndryshim i thellë cilësor, më shumë konkurrencë, më shumë cilësi kandidatësh, më shumë transparencë, më shumë meritokraci dhe më shumë llogaridhënie.

“Fiktiviteti në kandidime dhe klientelizmi në emërime e promovime mbeten kërcënim serioz. Kuvendi, qeveria dhe Presidenti nuk mund të kenë të njëjtat standarde preferenciale klienteliste e politike si përpara reformës ashtu edhe tani në jetësimin e saj. Organet e drejtësisë duhet të kenë

legjitimitet të plotë kushtetues me plotësimin e gjithë vendeve bosh në to, duhet të kenë sistem të verifikimeve periodike dhe duhet që çdo emërim/zgjedhje të bëhet në afatin ligjor dhe kushtetues” – rekomandohet në raportin e këtij Instituti.

Autorët shpresojnë që reforma të mbyllë tranzicionin e institucioneve dhe të ndikojë në kulturën institucionale e qytetare, dhe ajo “të mos përdoret si alibi, si plaçkë elektorale, si kërcënim apo si mjet për të pamundësuar drejtësinë fundore”.

Studiuesit vlerësojnë, se megjithë problemet, reforma po sjell fundin e pandëshkueshmërisë, besimi i opinionit publik tek SPAK është në maksimum, si e tregon edhe vala e denoncimeve të vazhdueshme atje dhe në Gjykatë Kushtetuese.

Kryesorja është sipas tyre, shndërrimi plotësisht i reformës në drejtësi në një reformë shqiptare dhe për shqiptarët, me llogaridhënie para shqiptarëve, pas mbështetjes së jashtëzakonshme nga SHBA dhe BE./Voa

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme