Nga Marcel Gascón Barberá
Ishte prill 1999. NATO po bombardonte objektivat ushtarake jugosllave për të ndalur sulmet e forcave serbe nga sulmi ndaj shqiptarëve etnikë në Kosovë, të cilët u arratisën në dhjetëra mijëra në Shqipërinë fqinjë.
Më shumë se 10,000 km larg në Afrikën e Jugut, një shqiptar i shquar foli për krizën për Associated Press. Nga rezidenca e tij në Johanesburg, i veshur me një kostum safari bojqielli, ai u lut për vazhdimin e operacioneve ushtarake dhe për dërgimin e trupave tokësore kundër regjimit serb të Sllobodan Millosheviçit.
“Si shqiptar, do të doja të merrja një pushkë dhe të shkoja e të bashkohesha me ta, por kjo nuk është puna ime, në radhë të parë,” tha ai për luftëtarët kosovarë.
Ky shqiptar i shquar ishte Leka Zogu, ose siç ai e quante veten e tij, Mbreti Leka I i Shqipërisë.
Leka Zogu ishte djali i vetëm i të ndjerit Zogu I, i vetmi mbret që mbretëroi në Shqipëri. Monarkia shqiptare pati një histori të pazakontë e të shkurtër. Themeluesi i shtëpisë mbretërore, Zogu ishte një pronar tokash dhe politikan i pasur, i cili pas pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1913 u bë kryeministër dhe më pas president para se ta shpallte veten mbret në vitin 1928.
Zogu vinte nga një familje fisnike shqiptare. Ai pretendonte se e kishte prejardhjen nga heroi kombëtar shqiptar Skënderbeu, i cili udhëhoqi rezistencën ndaj Perandorisë Osmane në shekullin e 16-të.
Zogu I dhe gruaja e tij, Geraldina, shkuan në mërgim më 7 prill 1939, kur Italia e Musolinit pushtoi Shqipërinë. Leka Zogu i vogël ishte vetëm dy ditësh atëherë. Pas arratisjes nëpër Greqi, familja mbretërore vizitoi disa vende europiane derisa u vendosën në Angli, nga ku ata u shpërngulën në Egjipt për të gëzuar mbrojtjen e Mbretit Faruk I.
Rënia e Farukut bëri që familja të kthehej përsëri në Europë. Leka Zogu vazhdoi arsimin e tij në Zvicër dhe studioi ekonomi dhe shkenca politike në Sorbone. Ai ishte diplomuar më parë nga Sandhurst, akademia prestigjioze ushtarake britanike. Pasi Zogu I vdiq në Francë në vitin 1961, një “asamble kombëtare” në mërgim e shpalli Lekën “mbretin e ri të shqiptarëve” në një hotel në Paris.
Duke mbajtur emrin Leka I, pretenduesi i ri intensifikoi një fushatë të gjatë kundër regjimit komunist që e ndalonte atë të hynte në vendin e tij.
Spanja ishte qendra e tij e parë e operacioneve. Leka kishte simpatinë e diktatorit antikomunist të Spanjës, gjeneralit Francisco Franko. Megjithatë, idili me autoritetet spanjolle u zhduk pas vdekjes së Frankos dhe në vitin 1979 ai u dëbua pasi spanjollët zbuluan një arsenal me armë në shtëpinë e tij.
Leka më vonë do të pohonte se, në momentin e dëbimit të tij, ata ishin “shumë afër” përmbysjes së regjimit stalinist të Enver Hoxhës nëpërmjet “aktivitetit ushtarak”. Sipas tij, fuqitë Perëndimore druheshin se rënia e një qeverie komuniste në rajon do të destabilizonte Ballkanin dhe i bënë presion Spanjës që të dëbonte ngatërrestarin.
Fillon aventura afrikane
Këtu filloi odiseja e tij afrikane. Duke lënë pas një borxh prej “miliona pesetash”, Leka dhe truprojat e tij u larguan nga Madridi në atë që atëherë ishte Rodezia e bardhë.
Gjatë një ndalese teknike në Gabon, trupat vendase kërcënuan ta arrestonin dhe ta ekstradonin atë në Shqipëri, por u ndalën kur panë Lekën të përdorte një bazuka. Pak pas mbërritjes së tij, guerrilasi karizmatik marksist Robert Mugabe erdhi në pushtet në Rodezia, e cila më pas do të ndryshonte emrin e saj në Zimbabve.
Leka u largua. “Ne do të kishim qenë dhurata më e mirë që Mugabe mund të kishte për qeverinë në Tiranë,” i tha ai për gazetarin e The Independent Matthew Sweet për largimin e tij të shpejtë në Afrikën e Jugut.
Aparteidi Afrika e Jugut ishte i vetmi vend afrikan që qeverisej ende nga një pakicë e bardhë dhe ishte gjithashtu më i zhvilluari në kontinent.
Qindra mijëra të bardhë që i largoheshin lëvizjeve të pavarësisë në Zimbabve, Angola dhe Mozambik ishin strehuar atje. Anti-komunizmi ishte një nga besimet qendrore të qeverisë së Pretorisë. Afrika e Jugut përdori kërcënimin për t’u kapur fort pas një sistemi ndarje racore që i mohonte njerëzve me ngjyrë të drejtat e tyre themelore.
Gazetari i Afrikës së Jugut Chris Barron tha se qeveria e aparteidit mendoi se Leka kishte një shans për të sunduar Shqipërinë sapo ra regjimi komunist. “Ata menduan se nëse ndodhte kjo, Shqipëria do të ishte një mik i dobishëm në një botë gjithnjë e më armiqësore,” shkroi gazetari, duke iu referuar sanksioneve ndërkombëtare të imponuara kundër Afrikës së Jugut.
Përveç imunitetit diplomatik, Leka u përjashtua nga pagimi i taksave në Afrikën e Jugut dhe u lejua të importonte makina, kamera dhe “çdo gjë tjetër që donte pa paguar taksat e importit”.
Qeveria e Pretorisë e thërriste Lekën “madhëria e tij” dhe ai vizitonte herë pas here Ndërtesat e Unionit për të folur për politikë me ministrin e jashtëm Pik Botha. Shtypi vendas e konsideronte atë një specie ekzotike dhe shkruante rregullisht për të.
Ai u vendos në Bryanston, një periferi e pasur në Johanesburgun Verior, ku jetonte nën masa strikte sigurie. Leka druhej se mund të vritej nga Sigurimi, policia politike shqiptare, dhe u shpreh se agjentët shqiptarë e ndoqën atë kudo.
Pretenduesi i fronit rrethohej nga truproja besnike. “Rojet mbretërore të Lekës janë një përzierje mercenarësh të huaj dhe burrash malorë shqiptarë – nga ata banditët e gjakmarrjes që shqiptarët e zonave fushore shqiptare pëlqejnë t’i quajnë “çeçenë”, shkroi Sweet për The Independent.
Leka i kishte dashur armët që nga fëmijëria. Në një intervistë tjetër për Associated Press në shtëpinë e tij Bryanston, ai mund të shihet teksa mban një armë në një këllëf në brezin e tij. Në këto pamje ai ngjan më shumë si një komandant ushtarak sesa si një mbret. Hartat ushtarake e Ballkanit janë të varura në muret e zyrës së tij. Një flamur shqiptar ndodhet në oborrin e rezidencës, një ndërtesë e ngjashme me një bunker në formë drejtkëndëshi. Leka flet për kamerën ndërsa pi duhan, një zakon që ai ndan me gruan e tij dhe që e trashëgoi nga babai i tij duhanpirës.
“Zogu thuhej se konsumonte rregullisht 200 cigare në ditë, duke i dhënë atij titullin e dyshimtë si duhanpirësi më i madh në botë në vitin 1929,” thuhet në faqen zyrtare të familjes mbretërore shqiptare.
Pasi Shqipëria rrëzoi diktaturën e saj komuniste në fillim të viteve 1990, në vitin 1993, Leka bëri një përpjekje për t’u kthyer në vendin e tij. Ai nuk u lejua të hynte në vend. Pasaporta e tij ishte lëshuar nga oborri i tij mbretëror në mërgim dhe e rendiste profesionin e tij si “Mbret i shqiptarëve”.
Katër vjet më vonë, kur qeveria shqiptare mbajti një referendum mbi rivendosjen e monarkisë, Leka u lejua të kthehej në vend dhe të bënte një fushatë. Por 70 për qind e votuesve zgjodhën republikën. Leka e denoncoi rezultatin si mashtrim dhe drejtoi një protestë i veshur me rroba kamuflazhi dhe duke tundur një armë automatike Uzi dhe një pistoletë.
Një person vdiq në përleshjet e armatosura mes mbështetësve të tij dhe policisë. Leka, i cili ishte kthyer në Johanesburg me një avion privat, u dënua në mungesë me tre vjet burg për përpjekje për të organizuar një kryengritje të armatosur.
Në Afrikën e Jugut qeveria e bardhë humbi pushtetin në vitin 1994 dhe administrata e re e majtë nuk e kishte shumë qejf mbretin e mundshëm.
Në vitin 1999, ai u arrestua për posedim armësh të paligjshme, pasi policia gjeti një kuti me armë ku përfshiheshin edhe granatahedhëse, mina anti-njeri dhe 14,000 municione në shtëpinë e tij në Johanesburg.
“Për një kohë të gjatë dyshohej se ky njeri ishte i përfshirë në disa marrëdhënie të dyshimta,” tha një zyrtar i Afrikës së Jugut për Los Angeles Times. “Ky njeri kishte lidhje në të gjithë vendin.”
Një nga këto lidhje ishte Dirk François Stoffberg, siç zbuloi në librin e tij gazetari investigativ nga Afrika e Jugut Jacques Pauw, Në zemër të errësirës: Rrëfime të vrasësve të aparteidit.
Pauw e përshkroi Stoffbergun si “ish-nëpunës banke dhe mësues shkolle që u bë kontrabandist ndërkombëtar armësh”, por gjithashtu “vrasës, mashtrues, kontrabandist, pastrues parash, spiun dhe vrasës i vetë deklaruar i aparteidit”.
Sipas Pauë, Stoffberg dhe Leka kishin pasur disa takime për të diskutuar armatosjen dhe trajnimin e një ushtrie guerrilase që do të pushtonte Shqipërinë dhe do të rrëzonte regjimin.
“Në një letër për Stoffberg, Leka shkroi për “mundësinë e trajnimit të një njësie prej 300 burrash, me mundësinë e pranimit të 1,500 të tillëve’. Asgjë nga këto nuk u bë.
Qeveria shqiptare më në fund e fali Lekën. Në vitin 2002, ai u kthye në vendin e tij – jo pa 11 arma ke granata dhe armë automatike që u konfiskuan sapo ai mbërriti në vend.
Leka kurrë nuk hoqi dorë nga pretendimi i tij për fronin shqiptar, por pati një jetë shumë të qetë në Tiranë deri në vdekjen e tij në vitin 2011.