Lëvizja Vetëvendosje sulmon kryeministrin Edi Rama, përmes përfaqësuesit të saj Hysamedin Feraj. Ky i fundit në një intervistë dhënë në mediat shqiptare, ka thënë se kreu i qeverisë shqiptare është grekofil dhe serbofil, që po pengon bashkimin kombëtar me Kosovën.
“Bashkimi kombëtar ka qenë le të themi, vazhdimisht është i mundur sot, por e bëjnë të pamundur pikërisht këto rryma politike që ne kemi brenda vetes dhe janë të hershme. Dhe këto janë para së gjithash grekofilët dhe serbofilët shqiptarë”, ka thënë Feraj në MCN TV.
Pjesë nga intervista e Hysamedin Feraj:
Marrëdhënia është kthyer në problematike nga vendosja e qeverisë së Shqipërisë në ideologjinë pansllaviste të shekullit të 19-të, e cila sigurisht është krejt e papranueshme për qeverinë e Kosovës që ka ardhur fill në pushtet bashkë me pavarësinë e Kosovës si rezultat i luftës kundër këtij revanshi gjjenocidal pansllaviste kundër shqiptarëve.
Prandaj, duke u vendosur në një ideologji kaq regressive, kaq reaksionare e qeverisë së Shqipërisë siç është ideologjia nacional-shoviniste pansllaviste e shekullit të 18-të, kuptohet që kjo do t’i acaronte marrëdhëniet jo vetëm me qeverinë e Kosovës, por do të duhej në parim me gjithë shqiptarët që kanë vuajtur shumë tragjedi nga kjo lloj ideologjie që u formulua në shekullin e 18-të nga ministri i jashtëm rus, e cila u përqafua më pas nga qeveritë serbe, veçanërisht përfshirë Nikolla Pashiqin e deri te Vuçiçi.
-Ku qëndron problemi sipas jush me nismën Open Balkans?
Konflikti nuk është ndërmjet vendeve, madje as ndërmjet qeverive, konflikti është vetëm shfaqja e sotme e një konflikti të vjetër që i ka përshkuar shqiptarët brenda tyre, domethënë të atyre shqiptarëve që janë vendosur gjithmonë në njëfarë serbofilie, grekofilie, pansllavismi e kështu me radhë, dhe shqiptarët nacionalistë që janë vendosur në programin e rilindjes tonë kombëtare. Për realizimin e vetes, përballë këtij agresioni të fqinjëve, kështu që ai ishte një saktësim i duhur.
Open Balkans, në fund të fundit është vetëm mënyra sesi është artikuluar sot politika e vjetër cariste-ruse, përvetësuar pastaj nga qeveria e Serbisë nën parullën ‘Ballkani-ballkanasve’. E nga gjithë fjalori të cilin kryeministri i Shqipërisë e përdor për të përshkruar veten e vetë, provohet se është i vendosur në atë lloj ideologjie. Ashtu siç është formuluar nga Xhatorvski, parulla “Ballkani , popujt të Ballkanit” e cila u mor nga Pashiqi e deri më sot. Vuçiçi e ka përsëritur këtë në OKB para dy vitesh, ku e ka përfunduar fjalimin “Ballkani i ballkanasve” dhe “Rroftë Serbia”. Në intervistën e dhënë në Euroneus, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, po ashtu thotë se Ballkani na takon ne, popujve të Ballkanit dhe Europa nuk duhet të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë.
Njëlloj siç ka deklaruar për veten se çfarë duhet të bëjë në dritaren, nëpërmjet të cilës ai në periudhën e izolimit të Shqipërisë, dritarja nëpërmjet ai ka shikuar botën ka qenë televizioni i Beogradit dhe prandaj është e kuptueshme që e gjithë dritarja nga e cila Kryeministri i Shqipërisë e shikon botën sot, vazhdon të jetë ajo dritare. Pra, e sheh botën nga Beogradi dhe jo nga Tirana dhe as nga Prishtina.
– Z. Rama, kryeministri i Shqipërisë, duket se ka vendosur të ecë përpara me këtë bashkëpunim duke mos konsideruar- të paktën në dukje – shqetësimet e Kosovës. Mendoni se, kryeministri i Shqipërisë në fakt po tenton ta izolojë qeverinë e Kosovës?
Kam përshtypjen se si rezultat, kryeministri i Shqipërisë më shumë do ta izolojë Shqipërinë sesa Kosovën. Meqenëse i është bashkuar një nisme, siç e thash të konfigurimit arkitektonik të rajonit, ku duket se konflikti është për sferën mes Perëndimit dhe Rusisë dhe në këtë situatë, po krijohet një farë vije e qartë që shtrihet nga Rusia-Ukraina-Rumania-Serbia-Maqedonia-Shqipëria. Dhe Kosova në këtë rast lihet në anën e Perëndimit, të Bashkimit Europian, ndërsa Shqipëria mund të izolohet në këtë vijë shtetesh që janë renditur si sferë e influencës ruse.
Kur fola për ideologjinë e shekullit të 19-të, ajo ka qenë formuluar për të ndaluar avancimin e perandorisë austro-hungareze dhe ekzistencën e perandorisë osmane në Ballkan. Pra, ishte politika ruse kundër një perandorie perëndimore kundër një preandorie sllave, për të depërtuar veprat, duke shfrytëzuar origjinën sllave disa popujve në këtë rajon. E në këtë kuptim, rreziku që të izolohet është shumë më i madh për Shqipërinë sesa për Kosovën, e cila, sigurisht mund të izolohet nga Rusia dhe të ndodhet e hapur për Bashkimin Europian për Perëndimin.
-Nisur nga kjo që kemi parë, shihni më mundësinë e ndonjë roli të Shqipërisë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë?
Shqipëria nuk mund të jetë në rolin ndërmjetësues midis Serbisë dhe Kosovës, sepse është bërë palë me Serbinë kundër Kosovës. Ndërmjetësuesit supozohet të jenë të paanshëm dhe jo të jenë palë me njërën anë. Mendoj se Shqipëria nuk ka asnjë gjasë që të marrë ndonjë rol ndërmjetësues në këtë konflikt.
-Z. Feraj, sa i mundshëm është projekti i bashkimit kombëtar në dritën e një zhvillimi gjeopolitik të themi si Minishengeni?
Bashkimi kombëtar ka qenë le të themi, vazhdimisht është i mundur sot, por e bëjnë të pamundur pikërisht këto rryma politike që ne kemi brenda vetes dhe janë të hershme. Dhe këto janë para së gjithash grekofilët dhe serbofilët shqiptarë.
-Vijmë në Shqipëri. Vetëvendosja ka nisur veprimtarinë në Tiranë, ajo kandidoi në zgjedhjet e fundit. Si e shihni të ardhmen e Lëvizjes në vendin tonë?
E shoh me optimizëm, sepse është e vendosur në drejtësi dhe drejtësia siç thuhet mund të vonojë, por në fund të fundit fiton. Prandaj, në këtë kuptim, Vetëvendosja si një lëvizje e drejtë, do të fitojë.