Arifi për Kosovën dhe Shqipërinë: Ndihmë konkrete nuk kemi, delegacionet vijnë sa për fotografi

Komuna e Bujanocit po përballet me një situatë të brishtë në aspektin politik dhe ekonomik, ndërkohë që nuk ka mbështetje as nga qeveria e Kosovës dhe as nga ajo e Shqipërisë. Kryetari i Komunës, Nagip Arifi, thotë se politikanët shqiptarë po i vizitojnë vetëm sa për fotografi. E përkundër vështirësive, thotë se ia kanë dalë që të menaxhojnë mirë me pandeminë.

Arifi në një intervistë për KosovaPress thotë se për të dalë nga kjo gjendje, me Serbinë duhet të përdoret parimi i reciprocitetit në mënyrë që ajo që iu garantohet serbëve në Kosovë, t’iu garantohet edhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës apo në Serbi.

Arifi: Është një situatë e brishtë në aspektin politik dhe ekonomik

“Është një situatë e brishtë në aspektin politik, por edhe ekonomik. Politik kur them, është sepse Serbia në mënyrë perfide shfrytëzon metoda të ndryshme për t’i shlyer qytetarët nga gjendja civile, sidomos në hapësirën e Bujanocit. Në aspektin ekonomik kemi probleme sepse prapë Serbia nuk ka vullnet që atë vend ta zhvillojë”, thotë ai.

I pari i Bujanocit thotë se janë duke i njoftuar të gjitha ambasadat e akredituara në Beograd lidhur me situatën në të cilën ndodhen edhe sot e kësaj dite shqiptarët atje.

Arifi: Delegacionet e Kosovës dhe të Shqipërisë na vizitojnë sa për t’u fotografuar, mungon ndihma

“Në aspektin lokal, jemi duke i njoftuar të gjitha ambasadat e akredituara në Beograd për gjendjen që po mbretëron në komunën tonë dhe në Luginën e Preshevës. Kurse për institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë, shumë pak ose aspak, nuk na ndihmojnë në aspektin financiar, por edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik, përveç që vijnë disa delegacione të fotografohen, publikohen ato fotografi, por ndihmë konkrete nuk kemi. Në përjashtim që këtë vit kemi pasur një ndihmë nga ish-qeveria Hoti, për vërshimet që kanë qenë në janar të këtij viti, në vlerë prej 200 mijë euro, kurse Preshevën e kanë financuar me 100 mijë euro, për fat të keq ndihma tjera nuk kemi”, thotë ai.

Arifi flet edhe për rifillimin e dialogut Kosovë – Serbi. Thotë se pala kosovare duhet të bëjë trysni që të garantohen të drejtat e shqiptarëve në Serbi.

Arifi: Me Serbinë të përdoret parimi i reciprocitetit

“Për qeverinë e Kosovës, kërkesat tona janë para së gjithash që të bëjnë trysni në dialogun që po zhvillohet në Bruksel që kërkohet nga qeveria e Serbisë, të garantohen të drejtat individuale dhe kolektive. Ne nuk po kërkojmë as më shumë e as më pak, vetëm të përdoret parimi i reciprocitetit, atë që po iu garantohet serbëve në Kosovë, t’iu garantohet edhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës apo në Serbi. Merreni me mend, sa i përket Ligjit mbi Zgjedhjet Parlamentare në Republikën e Kosovës, serbët kanë një diskriminim pozitiv, 10 deputetë janë të garantuar të zgjedhën, kurse ne këtë të drejtë nuk e kemi”, thotë Arifi.

Nisur nga situata e brishtë politike-ekonomike, për të është e kuptueshme edhe që të rinjtë kërkojnë të dalin jashtë vendit. Thotë se migrimi lidhet me perspektivën e zhvillimit ekonomik.

Arifi: Ka shpërngulje për një jetë më të mirë në vendet e perëndimit

“Ka shpërngulje për një jetë më të mirë në vendet e perëndimit. Serbia ka liberalizimin e vizave dhe të rinjtë udhëtojnë në botën e jashtme, kryesisht në Gjermani, punojnë për një kohë të caktuar prej 3 muajsh, kthehen e prapë shkojnë, sepse nuk ka perspektivë të zhvillimit ekonomik. Në anën tjetër e kemi një problem shumë të theksuar, mospranimin e diplomave nga Universiteti i Prishtinës në Republikën e Serbisë, dh gjithmonë ky është një problem shumë i madh… Na brengos fakti që… qeveria e Serbisë ka filluar ndërtimin e një universiteti në Mitrovicë, kurse në anën tjetër, diplomat të cilat merren në UP nga të rinjtë shqiptarë në Luginë të Preshevës nuk i pranojnë”, thotë Arifi.

Kryetari i Bujanocit thotë se përkundër vështirësive kanë arritur të menaxhojnë mirë me pandeminë, teksa bënë të ditur se deri më tash janë vaksinuar me dy dozat e para të vaksinës antiCovid rreth 70 përqind e qytetarëve, ndërsa kanë filluar të marrin edhe dozën e tretë.

Derisa thotë se kanë mundësuar vaksinimin e atyre që kanë pasur dokumente me afat të skaduar dhe atyre që janë shlyer nga gjendja civile.

Arifi: Deri më tash mbi 70 përqind e qytetarëve kanë marrë vaksinën

“Në komunën e Bujanocit është duke shkuar mirë vaksinimi qytetarëve. Deri më tash mbi 70 përqind e qytetarëve kanë marrë vaksinën, dozën e parë dhe të dytë. Tash kanë filluar të marrin edhe dozën e tretë. Shtëpia e shëndetit në Bujanoc ka të gjitha llojet e vaksinave. Qytetarët nuk duhet të presin, në momentin që lajmërohen, të nesërmen marrin një telefonatë nga stafi shëndetësor që të shkojnë të vaksinohen… Kemi mundësuar që të marrin vaksinat edhe ata pa dokumente valide, sidomos ata që janë shlyer nga gjendja civile që të marrin vaksinat”

Ai komenton edhe rëndësinë e ndërtimit të autostradës Nish – Prishtinë, për çka thotë se fillimisht duhet të analizohet qëllimi i Serbisë.

Arifi: Qëllimi i Serbisë është qasja në Detin Adriatik

“Të ndërtojmë ura dhe rrugë është një punë e mirë. Në shikim të parë, nëse përmendet të ndërtohet rruga nga Nishi në drejtim të Kosovës, qoftë përmes Mendares, apo nga Nishi përmes Bujanocit, Gjilanit e me radhë, është për ta përshëndetur. Por, duhet të analizohet se cili është qëllimi i Serbisë. Sigurisht që qëllimi i Serbisë është që sa më afër të ketë qasje në Detin Adriatik”, thekson ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme