Janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e procesit të Regjistrimit të Popullsisë në 5 shtator. Zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski tha se në të gjitha 50 rajonet për regjistrim kanë përfunduar trajnimet e instruktorëve dhe regjistruesve rajonal. Arsovski deklaroi se Qeveria beson se qytetarët do ua mundësojnë regjistruesve që pa probleme të kryejnë procesin. Regjistrimi i popullsisë do të fillojë të dielën dhe do të zgjas deri më 30 shtator. Në të do të regjistrohen qytetarët dhe pronat e patundshme. Deri më 30 shtator vazhdon edhe vetë regjistrimi online i diasporës, i cili ka filluar më 1 mars. Deri më tani në diasporë janë regjistruar mbi 190 700 qytetarë.
“Këto ditë deri të dielën, kur në ora 8 në mëngjes regjistruesit do të dalin në terren, do të kryhen trajnime plotësuese, por edhe do të kalohen qarqet regjistruese me të cilat janë obliguar regjistruesit. Deri të dielën, çdo regjistrues bashkë me instruktorin e tij rajonal do të bëjë edhe plan për lëvizje rreth qarkut regjistrues me qëllim që asnjë objekt, asnjë amvisëri, të mos mbes e pa përfshirë. Jemi të sigurt si Qeveri se qytetarët me besim do ti presin regjistruesit dhe do ua japin të dhënat e nevojshme të cilat do të mundësojnë ardhmëri më të mirë për të gjithë ne dhe për vendin në tërësi”, tha Dushko Arsovski, zëdhënës i Qeverisë.