Shkruan: Emad MEHMETI
Edhe përskaj asaj që situata me koronavirusin nuk po stabilizohet në vend, megjithatë deri më tani nuk ka sinjale se zgjedhjet lokale mund të shtyhen.
Sa i përket bllokut politik shqiptarë, në zgjedhjet vendore të tetorit në Maqedoni, beteja do zhvillohet mes BDI-së dhe koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Subjektet tjera politike shqiptare që marrin pjesë në këto zgjedhje janë ose satelitë të BDI-së, ose ‘tregtarë‘ që duan të nxjerrin në shitje atë një autobus votuesish që kanë.
Zgjedhjet e sivjetme vendore nuk i veçon asgjë nga ato të mëparshmet, përpos se më qartë do shihet se BDI-ja e ka mposhtur popullin dhe e ka dobësuar opozitën duke i shpopulluar vendbanimet shqiptare. Do me thënë do shihet se BDI-ja thuajse ia doli që Maqedoninë ta bëjë atdhe të përshtatshëm për jetesë vetëm për ata që kanë librezën e kësaj partie. Gjë që e bënë shumë të vështirë betejën politike kundër saj. Edhe pse opozita flitet që ka hartuar një strategji kundër partisë së Ahmetit.
Sa i përket BDI-së së gjelbër, por të dalë nga grumbujt me plehra e mbeturina nëpër komunat e drejtuar nga përfaqësuesit e saj, kjo parti prej moti e ka kuptuar se përpos nga tenderët, partia dhe të parët e saj pasurohet edhe me lejet e ndërtimit. Prandaj edhe bashkëpunon edhe me dreqin, vetëm që të mos i humb komunat që ajo i drejton.
Se komunat janë ‘minierë’ që i ushqen partitë dhe drejtuesit komunal, tani më të gjithë e dinë. Siç dihet se drejtuesi i komunës është ‘pronar’ i tokës së shtetit dhe atë e ndan sipas dëshirës e kryesisht të afërmve të partisë. Të gjithë e dinë edhe atë se nëpër komunat e drejtuara nga BDI-ja më parë ndërtohet kulla shumëkatëshe, e pastaj merret leja e ndërtimit, apo se, sa më a lartë është kulla, aq më shumë banesa i bien në hise ‘babait të komunës’ që ta legalizon atë.
Të gjithë e dinë edhe atë se që nga shkollat e deri te institucionet tjera nën ingerenca të komunës, janë të drejtuara nga kryetarët e komunave dhe ato janë vende për t’u punësuar partizanët partiak. Kështu që ai që ka në dorë komunën, i ka në ‘pronësi’ të gjitha institucionet që i financon populli, por që i shërbejnë vetëm partisë.
Dhe shkaku i gjithave që u thanë më lartë, pritet që fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale te shqiptarët e Maqedonisë, shenjë njohëse të ketë atë që ka pasur gjithmonë: asfaltimin e rrugëve nëpër fshatra e nëpër skutat e harruara. Që të çon të pyetesh: si këto komuna gjatë katër viteve nuk patën mjete për të shtruar as një metër asfalt përnjëherë gjejnë para për të shtuar kilometra rrugë me bekatontka. Edhe atë kuptohet: nga firmat e afërta me drejtuesit e komunave.
Por sido që të jetë ka një element që i përcakton gjitha këto lojëra të BDI-së. E ai është se kjo parti në njëfarë mënyre e ka partizuar shoqërinë shqiptare në Maqedoni dhe atë e ka shndërruar në pronë të veten. Dhe që është edhe më keq, ke përshtypjen se me këtë janë pajtuar edhe votuesit. Apo thënë më ndryshe: BDI-ja ia doli që ta thejë boshtin e opozitës edhe atë në mënyrën më destruktive – duke i shpopulluar vendbanimet shqiptare. Dhe duke e bë shoqërinë shqiptare në Maqedoni të jetë BDIstan të kontrolluar nga kjo parti e cila prej moti emblemën e saj e ka ngrit në rrafshin e vlerës më të madhe që kanë shqiptarët e këtij vendi.
E ndërsa bekotonkat po mbijnë si këpurdha para zgjedhjeve lokale dhe mirë bëjnë (po pse jo para zgjedhjeve të punohet me të njejtën ritëm?!), dikush një ditë në ironi tha se “unë nuk kam shtruar pllaka para derës së shtëpisë se më thane këta të komunës që do të ma shtrojnë me bekatonka!” Kjo ironi vetvetiu shpjegon shumëçka.
Ndërkohë ndodhi tragjedia shumë e rëndë në spitalin e Tetovës. Tragjedi e cila flet se jemi bë shoqëri e papëgjegjshme që më së miri e pasqyrojnë përfaqësuesit tonë në qeveri, të cilët sillen pa pikë përgjegjësie dhe morali, duke mos dhënë as edhe një dorëheqje pas kësaj ngjarje që tronditi qiellin e tokën – por jo edhe ndërgjegjen e qeveritarëve!/sakte.net