Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka zhvilluar sot takime me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, shefin e Misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici.
Me të gjitha palët, Osmani ka diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në vend.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova nuk është duke e provokuar situatën e sigurisë, përveçse duke zbatuar ligjin, teksa Policia e Kosovës është duke u kujdesur për sigurinë e të gjithë qytetarëve pa dallim.
Ajo ka vlerësuar lart punën e Policisë së Kosovës, e cila, siç u shpreh ajo, po dëshmon profesionalizëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, thuhet në komunikatën e Presidencës.