16 fshatra të qytetit të Lezhë kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e motit të keq. Mësohet se era e fortë ka sjellë dhe dëmtim të linjave elektrike në fshatra dhe që prej mbrëmjes së kaluar, këto zona nuk kanë energji elektrike.
Grupet e OSHEE-së kanë shkuar në terren, por ende nuk është zgjidhur asgjë. Moti i keq ka sjellë probleme në qytetin e Lezhës gjithashtu. Mësohet se një pemë është rrëzuar pranë bllokut të banimit 11.2 hektarë në lagjen “Besëlidhja”. Pema ka rënë në rrugë dhe fatmirësisht nuk ka shkaktuar dëme, por qytetarët që kalojnë në atë zonë janë ndjerë të rrezikuar.
Përkeqësimi i motit ka sjellë probleme edhe në Korçë. Siç raporton gazetarja Ledjona Xheladinaj, për shkak të erës së fortë, në disa zona janë shkulur pemë të cilat kanë bllokuar rrugët.
Punëtorët e ndërmarrjes së pastrimit kanë nisur punën për largimin e pemëve të rrëzuara. Nuk raportohet për persona të lënduar por vetëm për dëmet materiale.
Në disa lagje të qyteti ka pasur herë pas here dhe ndërprerje të energjisë. Në Dardhas të Pogradecit dhe Trebinjë gjatë orëve të natës nuk ka pasur energji.