Аrineta Abdushi, 37-vjeçare nga qyteti i Dibrës në Maqedoninë e Veriut, para dy vjetësh është diagnostikuar me kancer në gji. Fillimisht, thotë ajo, nuk ka dashur të besojë se kjo sëmundje është në trupin e saj, pasi siç thotë, është krijuar bindja se kanceri prek grup-moshat më të vjetra.
“Por në momentin e parë është diçka e papritur. Sepse unë isha në një moshë të re kur e kam zbuluar kancerin në gji, isha 35-vjeçare para dy vjetësh. Në fillim ishte një luftë e paparë me veten time. Por edhe për familjarët ishte diçka e papritur, vajzën e kisha vetëm 8 vjeçe dhe djalin 15 vjeç, edhe për ta ishte një frikë e paparë që s’mund ta përshkruash. Por forca nga brenda si dhe mbështetja nga familja, më ndihmuan ta fitoj këtë betejë”, thotë Arineta Abdushi.
Gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit, pas konstatimit të sëmundjes, përballen me sfida të shumta, siç është stafi i pamjaftueshëm mjekësor në Klinikën e Onkologjisë, përkatësisht kushte jo të mira në spitalet e shtetit, gjë që e bën më të vështirë trajtimin e kancerit të gjirit.
Arineta thotë se për këtë arsye është detyruar të orientohet te spitalet private.
“Vendosa të shkoj në spital privat, sepse në spitalin e shtetit ishte me të vërtetë një kaos që nuk di si ta përshkruaj”, thotë ajo.
Por Ministri maqedonas i Shëndetësisë Venko Filipçe, vlerëson se kujdesi shëndetësor për pacientët me kancer të gjirit dhe sëmundje të tjera malinje, është përmirësuar në mënyrë sistematike, duke filluar nga viti 2019 e këndej.
“Përveç trajtimit, pacientët kanë mbështetje psikologjike, e cila është një nga segmentet më të rëndësishme për menaxhimin e suksesshëm të sëmundjes. Ekzaminimet e rregullta mjekësore, si dhe vetëkontrolli i gjirit janë më efektivet për zbulimin dhe diagnostikimin e hershëm të sëmundjes”, ka vlerësuar Filipçe, në një postim në profilin e tij në Facebook.
Organizatat që në fokus kanë përkujdesjen ndaj grave të prekura nga kanceri në gji, thonë se pandemia, veçanërisht gjatë vitit të kaluar, ka limituar kapacitet spitalore, gjë që ka çuar në anulimin e kontrolleve të memografive si mjeti kryesor për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, i cili është thelbësor për të ndaluar vdekjen.
“Vetë pandemia si edhe te pacientët e tjerë bëri problem. Megjithatë më duhet të theksoj se stafi mjekësor është treguar i kujdesshëm dhe nuk e ka kthyer asnjë grua e cila ka kërkuar ndihmë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Maqedonka Ikonomova Davçeva, nga organizata joqeveritare “Jemi Dashuri”.
Davçeva thotë se brenda vitit në Maqedoninë e Veriut diagnostikon më shumë se 1 mijë gra me kancer në gji dhe për to shumë i rëndësishëm është trajtimi psikologjik si mbështetje në rrugën e vështirë që duhet ecur gjatë trajtimit të sëmundjes derisa të fitohet beteja me kancerin në gji.
“Grave të cilat janë prekur nga kanceri, u ndihmojmë me mbështetje psikologjike sepse vlerësojmë se nga këtu fillon kura”, thotë Maqedonka.
Edhe Arineta thekson se duhet punuar më shumë në drejtim të ndërgjegjësimit të grave për këtë sëmundje, pasi diagnostikimi i hershëm është vendimtar për të kuruar këtë sëmundje me sukses.
Nga organizata joqeveritare “Jemi Dashuri”, thonë se është ulur shumë shkalla e moshës së grave të prekura nga kanceri në gji.
“Kishim rast të një vajze 18-vjeçare nga Prilepi, e diagnostikuar me kacer në gji, një tjetër 30-vjeçare në Prilep,… pra është ulur mosha e të prekurave nga kanceri në gji”, thotë Maqedonka Ikonomova Davçeva, nga organizata joqeveritare “Jemi Dashuri”, e cila gjithashtu ka fituar betejën me këtë sëmundje para pesë vjetësh.
Nga ana tjetër Arineta Abdushi thotë për Radion Evropa e Lirë, që beteja me kancerin në gji e ka bërë dyfish më të fortë dhe të mos ndalet nga aktivitetet e saj si edukatore në kopshtin për fëmijë ku punon.
“Kjo sëmundje më ka bërë shumë më të fortë. Tani dy herë i mendoj gjërat. Pasi tani duhet që të mësohemi të jetojmë me këtë sëmundje. Unë kam shkuar në punë, gjatë tërë kohës, pra nuk e kam ndërprerë punën edhe kur trajtohesha me kimioterapi. Kam marrë energji nga puna dhe nga të afërmit sepse nuk duhet izoluar brenda vetes pas diagnostikimit, sepse ana psikologjike është ajo vendimtarja për të fituar betejën me këtë sëmundje”, thotë Arineta.
Ndryshe, tetori në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Ky lloj kanceri është një nga llojet më të shpeshta të tumoreve te gratë, kryesisht tek ato të moshës mbi 35 vjeç./REL/