Arrestohet ish drejtori i Radio Televizionit publik Shqiptar, Thoma Gëllçi

Në Shqipëri, ish drejtori i Radio Televizionit publik Shqiptar (RTSH), Thoma Gëllçi u arrestua të premten, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pranoi një kërkesë të paraqitur nga SPAK.

Zoti Gëllçi dyshohet për “shpërdorim të detyrës”, në rastin e një tenderi të organizuar në nëntor të vitit 2018 për blerjen e disa pajisjeve për për kanalin RTSH Agro. Për të njejtin tender, me një vlerë prej afro 1 milion dollarë, në pranga kanë përfunduar dhe tre punonjës së këtij institucioni, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj.

Këta të fundit dyshohen për “shkelje të barazisë në tendera “në proçedurën e prokurimit “Proçedurë e hapur”, me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me fond limit 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh), zhvilluar në datën 09.11.2018 nga autoriteti kontraktor Radio Televizioni Shqiptar, janë konstatuar shkelje ligjore, të kryera nga ana e tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht të hetuarve J.T., A.M. dhe E.M., shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) të Kodit Penal. Po kështu nga hetimet ka rezultuar se edhe shtetasi TH.G., me detyrë ish-Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, ka kryer shkelje ligjore në këtë proçedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashkuar nga neni 248 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e lëshuar mbrëmjen e së premtes nga SPAK.

Njoftimi nuk jep detaje të mëtejshme për veprimet që kanë kryer si tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe as shkeljet që dyshohet të ketë bërë ish drejtori. Zoti Gëllçi është një emër i njohur prej vitesh në rrethet mediatike të vendit. Në vitet ’90 ai ka drejtuar gazetën e Partisë Socialiste “Zëri i Popullit” dhe më pas ka shërbyer si zëdhënës për disa kryeministra socialistë.

Pas disa vitesh jetesë në Shtetet e Bashkuara, që prej vitit 2005, ai u rikthye në Shqipëri, ku konkurroi për postin e drejtorit të RTSH, detyrë nga e cila u largua në përfundim të mandatit 5-vjeçar, para pak muajsh./VOA

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme