Partia Demokratike më e madhja e opozitës së djathtë në Shqipëri, përmes drejtuesit te Departamentit te Rendit dhe Sigurisë Enkelejd Alibeaj, ish ministër i drejtësisë në qeverinë Berisha, akuzoi sërish të hënën qeverinë e kryeministrit socialist Edi Rama se po mbron dhe inkurajon krimin e në vend. “Me Edi Ramën, krimi ka mbrojtjen dhe mbështetjen qeveritare. Prej 9 muajsh ka një urdhër arrest ndërkombëtar për Klement Balilin që nuk është zbatuar ende. Klement Balili është ende i lirë dhe i pa shqetësuar nga policia. Shteti i Edi Ramës godet të pambrojturit si Estrefin 22-vjeçar, që vrau veten nga depresioni në burg pasi ishte arrestuar për 1 cigare hashash të dyshuar. Eskobari i Ballkanit nuk arrestohet sepse ka mbrojtjen e Edi Ramës dhe leviz i lirë” tha zoti Alibeaj.
Ai ka përmendur edhe vrasjen aksidentale të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, pranë Tiranës, ku sipas opozitës autor është një zyrtar lokal i PS. “Edhe ai i pashqetësuar, madje merr pjesë në inaugurimet qeveritare sepse ka mbrojtjen politike të Edi Ramës” tha zoti Alibeaj. “Me Edi Ramën, krimi ka garancinë për t’i shpëtuar ligjit, për t’i ikur policisë. Me Edi Ramën, shteti është inkriminuar duke u kthyer në shërbyes të trafikantëve të drogës. Çdo ditë që Edi Rama qëndron në pushtet është një ditë e keqe për ne dhe të ardhmen tonë. Le ta ndalim së bashku këtë të keqe. Le ta vëmë qeverinë në shërbim të njerëzve” bëri thirrje zyrtari lartë i PD ish ministri i drejtësisë Enkelejd Alibeaj.