Presidenti Ilir Meta do të ankimojë pushimin e çështjes penale ndaj ish-kreut të KED Ardian Dvorani. Në një status në rrjetet sociale, zëdhënësi i presidentit Meta, Tedi Blushi ka deklaruar se kushdo që ka konsumuar vepra penale do të përgjigjet përpara drejtësisë. Ai shprehet se rëndësia e kësaj çështje nuk mund të sfumohet duke u zvarritur në kohë dhe as me hetime të cekëta.
“U deshën plot 2 vite, që SPAK të kërkonte pushimin e procedimit penal ndaj personit nën hetim, z.Ardian Dvorani dhe ndaj ish-Ministres së Drejtësisë dhe vartësve të saj. Vendimi i sotëm i Gjyqtarit të Seancës Paraprake, që miratoi këtë kërkesë të Prokurorisë për pushimin e çështjes penale të nisur 2 vite më parë, me kallëzim të Presidentit të Republikës, është I PAPRANUESHËM dhe do të ANKIMOHET sipas rregullave procedurale dhe afateve, që përcakton Kodi i Procedurës Penale.
Kushdo, që ka konsumuar vepra penale dhe ka abuzuar me ushtrimin e funksionit publik, qoftë ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, ish-Ministër Drejtësisë, apo funksionar tjetër i lartë do të përgjigjen para drejtësisë. Faktet janë aty dhe veprimet e faktuara kriminale nuk zhbëhen dot, pavarësisht vlerësimit jo objektiv të SPAK për të mos u thelluar në hetimin e mekanizmit dhe bashkëpunimit kriminal dhe në arsyetimin krejtësisht të gabuar mbi rrethanat e faktit dhe elementëve të veprave penale të konsumuara nga shtetasit e kallëzuar.
Mjafton që SPAK t`i ishte referuar gjetjeve dhe vlerësimeve të Komisionit të Venecias, dhe do gjente aty një vlerësim objektiv dhe një lexim të qartë të asaj, që ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon, por edhe fajtorët se kush tentoi t’i rrëmbente Presidentit të drejtën e emërimit të gjyqtarit kushtetues, si dhe kush e la vendin 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. SPAK refuzoi ekspertizën e huaj dhe me vendimet e tij i dha mundësinë autorëve të krimeve penale të vijojnë në mbijetesën e tyre. Drejtësia ka ende kohë për të folur! E ardhmja u takon të vërtetave!”, shkruan Blushi. /Abcnews.al