Mefail Ismaili
– Advertisements –
Prishja e koalicionit ASH-AAA lë mëdyshje rreth premtimit të dy partive, se do të inicionin ligj të ri për zhvillim të barabartë rajonal. Ligji, i miratuar në janar të 2021, u kontestua nga koalicioni i atëhershëm, madje u synua ligj i ri në mënyrë që komunat shqiptare të mos diskriminoheshin në zhvillim. Elmi Aziri i Aleancës shpreh dyshime se me futjen e Alternativës në qeveri, do të ketë ndonjë iniciativë për ndryshime të ligjit kontestues, sipas tij.
“Ne kemi dilema edhe në kapacitetin e Qeverisë për të bërë ndryshime, por edhe në gatishmërinë e Qeverisë për të bërë ndryshime. Ne nuk shohim ndonjë impakt serioz e cilësor edhe të bashkëngjitjes së ish-partnerit tanë të deritanishëm të koalicionit në këtë drejtim”, deklaroi Elmi Aziri, ASH.
Aziri thotë se për të ndodhur ndryshime do të duhet ndryshim rrënjësor i ligjit, si dhe përmbyllje e decentralizimit lokal.
“Vlerësojmë se kjo problematikë do duhet të rregullohet me disa ligje, edhe me ligjin për financimin e njësive të vetë administrimit lokal, edhe me ligjin për zhvillimin e barabartë rajonal, por veçanërisht do të duhet të intervenohet edhe tek byroja për zhvillimin e barabartë rajonal, sepse prej vitit 2004 kur është themeluar kjo byro e ka këtë destinim”, tha Elmi Aziri, ASH.
Ndërsa deputeti i Alternativës, Skënder Rexhepi thotë se zhvillimi i barabarta rajonal mbetet në fokus të partisë së tij, dhe i reflektuar edhe në marrëveshjen e re me Zaevin.
“Po, do të kërkojmë ne që të revidohet edhe ky ligj, që të përfshihen edhe pikat të cilat i kishim nga koncepti i koalicionit opozitar janë edhe pikat tona, që të paktën shumica e atyre të integrohen në ligjin aktual me qëllim që të jetësohet marrëveshja e koalicionit… Do të diskutohet gjerë e gjatë nga ekip profesionist që do caktojmë ne. Do i inkorporojmë edhe ato pika nëse ka hapësirë por do krijojmë edhe pika të reja të cilat janë të veçanta dhe pjesë e marrëveshjes që e kemi bërë si koalicion”, deklaroi Zejd Rexhepi, Alternativa.
Zhvillimi i barabartë rajonal ishte edhe në programin e përbashkët zgjedhor mes dy partive të koalicionit të deridjeshëm ASH-AAA, por në këto 11 muaj nuk pati asnjë iniciativë konkrete, deri sa Alternativa ishte në opozitë./Alsat.mk