Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski deklaroi se ai dhe partia e tij do të kërkojnë qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme të cilat do të mbaheshin në maj ose qershor të vitit 2022. Kërkesa e Mickoskit vjen pas dështimit për marrjen e datës për fillim të negociatave, shkruan Alsat.
– Advertisements –
“Zgjedhjet parlamentare janë zgjidhja e krizës. Në shkurt ose mars të formohet qeveria teknike dhe më maj ose qershor të kemi zgjedhje të parakohshme”, tha Mickoski, duke nënvizuar se vendi është i bllokuar nga një kontest me Bullgarinë.
“Më e keqja është se ky problem sa vjen e thellohet. Bullgaria mbetet në pozicionet e saja dhe vetëm se kërkesat e tyre po rriten”, tha Mickoski.
Sipas tij në 10 ditët e fundit, Bujar Osmani bënte marketing, Zaev dhe Kovaçevski mbanin mbledhje, derisa Pendarovski i gëzohej qasjes së re, derisa qytetarët morën edhe një veto.
“Me këtë bllokadë të fundit, kjo qeveri nuk na dërgon në ardhmërinë evropiane. Në rast se Alternativa e mban fjalën si dhe Kastrioti i cili tha se zemra e tij është në Bruksel dhe Uashington, duhet të dalin dhe të thonë se nuk ekzistojnë kushte për ta mbështet këtë qeveri, ose kanë arsye të tjera për ta mbështetur këtë qeveri”, deklaroi Mickoski./Alsat.mk