Gazetar: Adrian Kerimi
– Advertisements –
Partnerët e koalicionit LSDM-BDI mirëpresin emrat e propozuar nga Alternativa si bartës të funksioneve në formatin e ardhshëm qeverisës.
LSDM-ja pret që emrat e propozuar të dëshmojnë përkushtim dhe përgjegjësi për tejkalimin e krizës energjetike, ekonomike dhe shëndetësore.
“Presim që të gjithë të propozuarit për bartjen e funksioneve publike të jenë të përkushtuar, të sinqertë dhe të udhëheqin me përgjegjësi institucionet në interes të qytetarëve. Na presin sfida për të cilat duhet punë e palodhshme, me përkushtim dhe përgjegjësi me qëllim tejkalimin më të lehtë të krizës globale energjetike dhe shëndetësore, por edhe përmirësimin e standardit jetësorë”, thonë nga LSDM.
BDI vlerëson se Alternativa ka dëshmuar guxim duke marr përgjegjësi që të udhëheqë me Shëndetësinë dhe MEPSO-n pikërisht në kohën kur dyja sferat përballen me krizë.
“Shumicës parlamentare i nevojitet stabilitet përball bisedimeve me Bullgarinë, krizave energjetike dhe shëndetësorë, prandaj edhe Alternativa por edhe deputetët tjerë janë të mirëseardhur për të dhënë kontribut konstruktiv. Të marrësh përgjegjësi të drejtosh dy institucione në mes të dy krizave është e guximshme dhe urojmë që të dalin me sukses nga kjo sfidë në të cilën jemi të gjithë bashkë”, shprehen nga BDI-ja.
Alternativa mbrëmë në mbledhjen e Kuvendit Qendror caktoi emrat e bartësve të funksioneve në Qeveri. Ashtu siç raportoi Alsat paraprakisht, partia e Afrim Gashit bëri zyrtare edhe emrat e zëvendësministrave dhe drejtorëve në ndërmarrjet publike dhe agjenci.
Të mërkurën pritet që kryeministri Zoran Zaev të deponon dorëheqjen në Kuvend. Në seancën e parë të radhës, ligjvënësi duhet të konstaton dorëheqjen e Qeverisë dhe t’i hapë rrugën afateve për mandatar të ri dhe shumicë të re parlamentare.
“Presidenti i Republikës së Maqedonisë e ka për detyrë që në afat prej dhjetë ditëve, nga dita e konstituimit të Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend. Mandatari, në afat prej 20 ditëve, nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit ia paraqet programin dhe i propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve”, thuhet në Nenin 90 i Kushtetutës.
Mandatar për shumicë të re do të jetë kryetari i ri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. Procedura për zgjedhjen e Qeverisë së re pritet të përfundon më fund të muajit janar./Alsat.mk