Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” sot ka realizuar 33 fluturime, ndërsa të planifikuara sot janë edhe 16, por bora që sot është duke rënë mund të shkaktojë probleme në fluturimet e mbetura.
Kështu ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook zëdhënësi i Aeroportit të Prishtinës, Unidon Krasniqi, transmeton Koha.net.
“Deri më tani janë realizuar 33 fluturime (15 arritje dhe 18 shkuarje). Ndërsa të planifikuara për tu realizuar në ditën e sotme janë edhe 16 fluturime. Arritje e radhës është e planifikuar për orën 16:38. Shkuarja e radhës e planifikuar për orën 17:25”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka thënë më tutje se është duke u bërë gjithçka që të realizohen të gjitha fluturimet dhe të mos ketë probleme edhe në shërbimin e pasagjerëve, ndërsa shpreson që të mos përkeqësohen kushtet atmosferike.
“Limak që menaxhon me ANP ‘Adem Jashari’, me tërë kapacitetin është duke u përballur me kushtet atmosferike dhe reshjet e borës, kështu jemi të përkushtuar që të mos kemi probleme në shërbimin e fluturimeve dhe pasagjerëve. Shpresojmë dhe kushtet atmosferike të mos përkeqësohen në atë masë sa të ndikojnë në uljen e aeroplanëve në pistën e aeroportit ‘Adem Jashari’”, ka shkruar Krasniqi.
Javë më parë bora kishte anuluar disa fluturime në “Adem Jashari”.
© KOHA.