Pendarovski nuk ka arritur të largohet nga hija e Zaevit, tha VMRO-DPMNE-ja pas fjalimit të fundvitit të kreut të shtetit, duke e konsideruar fjalimin të pritshëm dhe pa asnjë befasi, shkruan Alsat.
“Pendarovski nuk është aspak frenues i Qeverisë e cila është zhytur në krim, korrupsion dhe mungesë idesh. Mund të vërehet një teatër për gjoja mosmarrëveshje dhe sulme të skenuara verbale mes presidentit të shtetit dhe kryeministrit ku gjithçka është e përgatitur prej më herët. Kur vjen koha për veprim real, Stevo Pendarovski dhe Zoran Zaev janë e njëjta gjë. Pendarovski nuk ka bërë asnjë hap në mbrojtje të interesave të shtetit. Ai mban anën e interesave të Zaevit”, tha Vllado Misajllovski, VMRO-DPMNE.
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se shumë nga kritikat e presidentit përkojnë me kritikat e opozitës shqiptare e që kanë të bëjnë me qeverisjen dhe sistemin e së drejtës.
“E përshëndesim konstatimin e presidentit që në asnjë mënyrë nuk duhet të privilegjohen ata që nuk e zbatojnë ligjin që do të thotë se presidenti pajtohet me atë se kemi persona të afërt me qeverinë të mbrojtur nga pushteti. Presidenti ishte direkt duke thënë se tek ne mbisundon kultura e mosndëshkimit”, tha Halil Snopçe, Aleanca për Shqiptarët.
Lëvizja Besa vlerëson se pavarësisht konstatimeve që bën Presidenti, nuk ka lëvizje në drejtim të zgjidhjes së problemeve.
“Të gjitha këto ngjarje opinion publik i ka të njohura por ajo që mungon është zgjidhja. Këto janë konstatime të ngjarjeve që i kemi vit pas viti. Vit pas viti përsëriten dhe nuk janë zgjidhje, nuk shohim se ka dritë në fund të tunelit”, u shpreh Fadil Zendeli, Besa.
Për pushtetin, është vlerë demokratike që Presidenti të ketë qëndrim të ndryshëm nga qeveria për disa çështje.
“Fjalimin e sotëm vjetor të presidentit Stevo Pendarovski, si grup parlamentar i LSDM-së dhe koalicionit e vlerësojmë si shtetdashës dhe e mbështesim qasjen shtetdashëse të presidentit. Ashtu siç i ka hije një shoqërie demokratike dhe institucionit të pavarur të Presidentit, si kandidat i zgjedhur nga qytetarët dhe mbipartiak, gjë që dukshëm e jep rezultatin pozitiv në proceset demokratike”, deklaroi Jovan Mitrevski, LSDM.
“Sigurisht se për disa prej temave të cilat u hapën ndajmë edhe të njëjtin mendim sigurisht duke filluar nga ajo se anëtarësimi i vendit në NATO ka ndihmuar Maqedoninë e Veriut për ballafaqimin me rreziqet me të cilat mund të ballafaqohet një vend si vendi ynë. Përkushtim i yni si BDI edhe më tej mbetet vetingu dhe në mënyrë profesionale të procesohen dhe të gjykohen të gjitha çështjet”, theksoi Arbër Ademi, BDI./Alsat.mk